
Deputetë të krahut të majtë të Partisë Laburiste pritet t’i kërkojnë së shpejti Ed Miliband të kandidojë për drejtimin e partisë, ndërsa kryeministri Keir Starmer po përballet me presion në rritje pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale.
Situata u tensionua edhe më shumë pasi ish-ministrja Catherine West deklaroi se, nëse deri të hënën asnjë ministër i kabinetit nuk del hapur për të sfiduar Starmer, ajo vetë do të nisë procedurat për garën e lidershipit.
Një numër deputetësh të Partisë Laburiste kanë kërkuar që Starmer të vendosë një afat për largimin nga drejtimi i qeverisë, megjithëse ai ka këmbëngulur se nuk do të japë dorëheqjen.
“Nuk do të largohem, sepse kjo do ta zhyste vendin në kaos”, deklaroi Starmer.
Brenda partisë, shumë deputetë mbështesin idenë që Andy Burnham të zëvendësojë Starmerin, por rikthimi i tij në parlament konsiderohet i ndërlikuar dhe i ngadaltë.
Ndërkohë, emri i Wes Streeting është përfolur si një tjetër kandidat i mundshëm, edhe pse aleatët e tij kanë mohuar kategorikisht çdo plan për sfidë ndaj kryeministrit.
Për shkak të pasigurisë rreth Burnham dhe mungesës së mbështetjes së plotë për Angela Rayner, deputetët e majtë po shohin tek Miliband një figurë që mund të shmangë dominimin e Streeting në garë.
Partia Laburiste pësoi humbje të rënda në zgjedhjet lokale, duke humbur mbi 1,400 këshilltarë në Angli dhe duke humbur terren ndaj Reformes dhe Partisë së Gjelbër. Në Uells, partia humbi pushtetin për herë të parë, ndërsa pësoi rënie edhe në parlamentin skocez.
Catherine West tha se preferon që kabineti të organizojë një ristrukturim të brendshëm dhe që Starmer të marrë “një rol tjetër, ndoshta ndërkombëtar”.
Megjithatë, ajo pranoi se aktualisht nuk ka një kandidat të qartë që të bashkojë partinë.
Në përpjekje për të rikuperuar pozitat, Starmer emëroi ish-kryeministrin Gordon Brown si të dërguar për financat globale, ndërsa Harriet Harman do të shërbejë si këshilltare për çështjet e grave dhe vajzave.
Ndërkohë, zërat kritikë brenda Partisë Laburiste po shtohen, me deputetë si Debbie Abrahams dhe Clive Betts që kërkojnë publikisht një tranzicion të shpejtë të lidershipit.