
Një ylber i dyfishtë është shfaqur mbi Buckingham Palace ku mijëra njerëz janë mblodhur për t'i bërë nderimet e tyre mbretëreshës Elizabeth II, e cila ndërroi jetë pasditen e sotme.
Të shumtë ishin ata që fotografuan ylberin, i cili mund të shihej mbi monumentet kryesore në të gjithë Londrën, duke përfshirë Kullën Elizabeth në Westminster dhe Memorialin e Mbretëreshës Victoria.
Një grua vendosi buqetën e parë në rezidencën qendrore të Mbretëreshës pak pas orës 17:00 dhe turma jashtë Pallatit Buckingham është rritur që atëherë në mijëra njerëz.
“Është një moment historik,” tha një prej tyre. Një tjetër tha se Mbretëresha ishte një shenjë e vazhdimësisë dhe “ajo përfaqësonte të katër pjesët e Mbretërisë sonë të Bashkuar”.
“Të shohësh atë të shkojë ndihet si fundi i një epoke dhe shumë pasiguri”, tha për BBC.
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare. Familja e saj u mblodh në shtëpinë e saj në Balmoral të Skocisë, pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore.
Pallati mbretëror tha se “Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite”. Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 dhe mbretëroi plot 70 vjet. Pas vdekjes së saj, fronin e merr djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit.