Policia gjermane ka forcuar sigurinë për ndeshjen Bayern-Dortmund pas alarmit për terror.
Konkretisht, siç raporton Deutsche Welle, policia në qytetin gjerman të Mynihut ka vendosur më shumë policë për sigurinë e Allianz Arena gjatë ndeshjes së Bundesligës mes Bayern Munich dhe Borussia Dortmund të shtunën.
Prezenca e shtuar e sigurisë vjen pasi policia u informua të premten se disa imazhe qarkullonin në mediat sociale ku dukej se tregonin një objektiv të vendosur mbi spektatorët jashtë stadiumit.
Imazhi dyshohet se është krijuar nga grupi terrorist ISIS-K, një degë e të vetëquajturit "Shteti Islamik" me bazë në Afganistan. Grupi mori përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të fundjavës së kaluar në një sallë muzikore jashtë Moskës.
Një zëdhënës i departamentit të policisë së Mynihut tha për agjencinë gjermane të lajmeve "dpa" se ata e vlerësuan intensivisht foton të premten mbrëma së bashku me departamentin rajonal të hetimit penal dhe dolën në përfundimin se nuk kishte shenja konkrete rreziku.
Për një lojë të kësaj rëndësie, normalisht do të duhej të dislokoheshin 300 deri në 500 policë. “Tani po e rrisim atë numër”, tha zëdhënësi i policisë.
Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Feiser tha në fillim të kësaj jave se Gjermania do të vendosë kontrolle të përkohshme në të gjithë kufijtë e saj për Euro 2024 pas sulmit terrorist në Moskë.