Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka ngrirë aleatët e NATO-s duke deklaruar se “nuk është favor të hyrjes në NATO të Finlandës dhe Suedisë”.
Sipas “Daily Sabah”, presidenti turk pretendon se dy shtetet kanë brenda tyre organizata terroriste.
“Për momentin po ndjekim zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi qëndrime pozitive, sepse në të kaluarën qeveritë e mëparshme turke kanë bërë një gabim me anëtarësimin e Greqisë dhe ju e dini qëndrimin aktual të Greqisë kundër Turqisë, që mbështetet nga NATO”, tha Erdogan.
“Si Turqi, ne nuk duam të përsërisim gabime të ngjashme. Për më tepër, vendet skandinave janë bujtina për organizatat terroriste. Anëtarët e Partisë Popullore të Kurdëve dhe Partisë Revolucionare Popullore Çlirimtare fshihen në Suedi dhe Holandë, madje janë deputetë të disa vendeve. Në këtë pikë, nuk është e mundur që ne të kemi një pikëpamje pozitive”, tha Erdogan.
Ndërsa qeveria turke ende nuk ka marrë një qëndrim formal për këtë çështje, nga ana tjetër edhe Helsinki dhe Stokholmi nuk kanë formalizuar ende kërkesën për hyrjen në NATO.
Ndërsa Ankaraja ka pasur gjithnjë një raport të mirë me Finlandën, me Suedinë ka pasur përplasje në të kaluarën për shkak të mbështetjes që Stokholmi i ka dhënë kurdëve sirianë të Ypg.
Turqia ka qenë gjithmonë zyrtarisht mbështetëse e zgjerimit, që prej bashkimit me aleancën ushtarake 70 vite më parë. Çdo vendim për pranimin e një vendi të ri anëtar duhet të miratohet unanimisht nga të gjithë shtetet.