Edhe Ivanka Trump mori para nga USAID për organizimin e një eventi

6 Shkurt 2025, 20:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ivanka Trump

Ivanka Trump përdori para nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për pajisje regjistrimi për një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, tregojnë dokumentet e USAID-it.

Zbulimi se iniciativat e Ivanka Trump përdorën fondet e USAID-it për ngjarje vjen në një kohë kur vetë agjencia po përballet me një kontroll të shtuar dhe presion nga administrata e Donald Trump.

Trump dhe njerëzit e afërt pranë tij po diksutojnë nëse do e mbyllin plotësisht USAID, apo nëse do t'i shkurtojnë drastikisht fondet, teksa e akuzojnë se në të kaluarën ka shpenzuar paratë e taksapaguesve amerikanë shpesh për të sulmuar republikanët.

Sipas dokumenteve të USAID-it, Ivanka Trump përdori mbi 11,000 dollarë nga departamenti në vitin 2019 për të blerë pajisje për regjistrimin dhe riprodhimin e videove për një event në Shtëpinë e Bardhë.

Dokumentet tregojnë se 11,539 dollarë do të përdoreshin nga Trump në nëntor 2019 për të blerë softuer, CD, dhe kaseta.

Blerja u miratua nga Jenifer Healy, e cila në atë kohë shërbente si zëvendësshefe e stafit të USAID-it dhe nga Zyra e Administratorit. Nuk është e qartë se për cilën ngjarje të Shtëpisë së Bardhë janë përdorur pajisjet.

"Për dekada, burokratët e USAID-it besonin se nuk ishin përgjegjës para askujt, por ajo epokë ka mbaruar," shkroi Shtëpia e Bardhë në një njoftim pak ditë më parë. "Presidenti Trump po ndalon shpërdorimin, mashtrimin dhe abuzimin", thuhej në deklaratë.



Video