Italia bëhet vendi i radhës që ashpërson rregullat për qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugët e qyteteve. Me këtë dekret të posaçëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit synohet që këto mjete lëvizjeje të nxirren nga anonimati dhe, për më tepër, të rriten masat e sigurisë.
Rregullat e reja parashikojnë vendosjen e një targe në një pozicion të dukshëm për çdo mjet të tillë elektrik. Targa do të merret pranë autoriteteve dhe do të shërbejë edhe si mënyrë për të regjistruar mjete të tilla. Në shumë raste aksidentesh, mjete të tilla mbeten të paidentifikuara për shkak të mungesës së një targe. E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit.
Një tjetër rregull përcakton lëvizjen me kaskë në kokë edhe për të rriturit. Kjo, sipas autoriteteve, do të shtonte masat e sigurisë në lëvizje. Ligji i ri përcakton edhe masa ndëshkuese për shkelësit, që variojnë nga 100 deri në 400 euro.
Me këto masa, Italia synon të rregullojë në të gjithë vendin masat e pjesshme të marra nga qytete të caktuara.
Disa vende të botës kanë ashpërsuar më herët rregullat për këto mjete elektrike. Monopatinat me qira janë të ndaluara në Paris që nga 1 shtatori 2023, pas një referendumi ku mori votën e 90% të qytetarëve. Malta e ka ndaluar marrjen me qira në të gjithë vendin.
Finlanda ka vendosur kufi moshe, duke mos lejuar përdorimin nën 15 vjeç.
Ndalime apo kufizime ka edhe në Irlandë, Britaninë e Madhe, e deri në Singapor dhe Melburn të Australisë.