
Rreth 130 persona kanë mbetur të vrarë në Rio de Janeiro gjatë ditës më të përgjakshme të dhunës në qytet, ku mbi 2,500 policë dhe forca speciale sulmuan një zonë të favelave pranë aeroportit ndërkombëtar, që konsiderohet si selia e një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Brazil.
Gjatë përleshjeve të ashpra, kriminelët vendosën barrikada, dogjën autobusë dhe ngritën postblloqe të improvizuara, duke paralizuar trafikun dhe duke përhapur frikë në disa zona të qytetit. Sipas raportimeve nga mediat braziliane, mijëra anëtarë të grupit kriminal janë përfshirë në përplasjen e armatosur me policinë.
Kryebashkiaku i Rio de Janeiros, Eduardo Paes, reagoi ashpër duke theksuar se qyteti “nuk mund dhe nuk do të mbahet peng nga kriminelët që duan të mbjellin frikë në rrugë”.
Për shkak të situatës së rënduar, autoritetet vendore kanë ngritur nivelin e alarmit në shkallën 2, ndërsa 45 shkolla, klinika dhe qendra shëndetësore në zonat e prekura janë mbyllur përkohësisht.
Operacioni, në të cilin janë angazhuar mbi 2500 efektivë është duke vijuar, dhe autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet. Zona e goditur është një nga më të populluarat e qytetit, me rreth 280 mijë banorë, ndërsa frika për shpërthim të dhunës gjatë natës mbetet e lartë.
Megjithatë, aktivistët e të drejtave të njeritut në vend kanë ngritur shqetësimet duke deklaruar se shumë prej atyre që cilësohen si kriminelë të vrarë nga policia kanë shenja plumbash në kurriz dhe pas koke, çka tregon se janë vrarë pa bërë rezistencë ose pasi janë arrestuar.