Biden: NATO më e fuqishme se kurrë, Ukraina do ta ndalojë Putinin!

10 Korrik 2024, 07:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nisur fjalimin para liderëve të shteteve të NATO-s në samitin që po mbahet në Washington.

Ai e ka nisur fjalimin me një zë të qartë dhe të palëkundur, raportoi BBC.

“Sot, NATO është më e fuqishme se kurrë, 32 shtete të forta”, ka thënë Biden.

Presidenti amerikan ka thënë tutje se aleanca është e vendosur që të parandalojë autokratët që ta marrin pushtetin.

“Mos harroni se karakteri i NATO-s është thelbësisht demokratik. Gjithmonë do të jetë. Ky moment në histori thërret për fuqinë tonë të përbashkët. Putini nuk dëshiron asgjë më pak se nënshtrimin total të Ukrainës, për t’i dhënë fund demokracisë së Ukrainës dhe ta shkatërrojë kulturën e Ukrainës, e ta zhdukë nga harta”, ka thënë ai.

“Dhe e dini se Putini nuk do të ndalojë në Ukrainë. Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin”.

Bideni ka njoftuar se SHBA-ja dhe katër shtete – Gjermania, Holanda, Rumania dhe Italia – do t’i ofrojnë Ukrainës më shumë sisteme mbrojtjeje ajrore brenda muajsh.

Më pas, Bideni i ka dhënë Stoltenbergut Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është nderimi më i lartë civil që presidenti mund të bëjë.

Video