A është Telegrami "spiun në xhepin e çdo ukrainasi"?

5 Maj 2024, 14:59Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Telegrami "spiun"

Kurdo që Rusia shkrep raketa dhe dronë në drejtim të qyteteve ukrainase, telefonat mobilë lëshojnë dridhje dhe pastaj bie alarmi i pakëndshëm për paralajmërimin e sulmeve ajrore.

Gjatë paralajmërimeve të tilla për sulme ajrore, shumë ukrainas kyçen në kanalet e "Telegramit" të cilat mbledhin të dhëna zyrtare dhe jozyrtare për sulmet - për të vendosur se a të kërkojnë strehim apo jo.

“Unë nuk strehohem kurrë, gjithsesi. Por, ndihem më i qetë sapo ta kuptoj se çfarë po ndodh”, tha studenti i psikologjisë, Ilya Yeremenko për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Ndjesia e kontrollimit të vetes, edhe nëse është iluzion, është më e mirë sesa ndjesia e të qenët i pafuqishëm”, theksoi ai.

Qasja e shpejtë në të dhëna të pakufizuara e ka shtyrë aplikacionin për dërgimin e mesazheve, Telegram, të bëhet burimi kryesor i lajmeve në kohën e luftës në Ukrainë.

Kjo platformë me bazë në Dubai, e cila zotëron mbi 900 milionë përdorues në gjithë botën, u themelua nga sipërmarrësi rus Pavel Durov më 2013.

Në intervistën e tij të parë të madhe pas shtatë vjetëve, të cilën e dha për komentuesin amerikan Tucker Carlson më 17 prill, Durov u zotua se Telegrami synon të jetë “platformë neutrale” dhe jo “një lojtar në gjeopolitika”.

Në Ukrainë, megjithatë, kritikët janë të shqetësuar se Telegrami përhap dezinformata dhe i lehtëson veprimet e jashtëligjshme.

Disa e akuzojnë Telegramin për lidhje me shtetin rus dhe se po kontribuon në luftën e Moskës në Ukrainë.

Parlamenti i Ukrainës e ka regjistruar një projektligj i cili synon ta ndreq punën e kësaj platforme. Por, duket e pamundur që ligjvënësit do të tentojnë ta mbyllin tërësisht këtë aplikacion të njohur.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, që nisi në shkurt 2022, i dha një shtytje tejet të madhe popullaritetit të Telegramit në Ukrainë.

Kur raketat ruse filluan të bien mbi qytetet ukrainase dhe trupat ruse ia mësynë kufijve ukrainas, Ihor Lachenkov, krijuesi dhe autori i kanaleve më të njohura ukrainase në Telegram Lachen Pyshe, ndodhej në vendlindjen e tij Dnipro duke i përcjellë ngjarjet dhe duke postuar lajme ditë e natë.

Brenda 24 orëve, audienca e tij pothuajse u trefishua, nga 70.000 në 200.000.

“Njerëzit e vërshuan kanalin tim, sepse është njëri nga të parët që njoftoi se kishte filluar lufta, dhe dërgonte njoftime me kohë për sulmet raketore, madje, para se të fillonin të punonin siç duhet alarmet për sulmet ajrore”, tha Lachenkov për REL-in.

Asokohe, kanalet kryesore televizive të Ukrainës filluan transmetimin e një programi të unifikuar të lajmeve, që kontrollohej nga shteti, i cili njihet si “Telemarathon”, për ta luftuar përhapjen e propagandës së armikut dhe dezinformatat.

Por, njerëzit që kërkonin informata më të shpjeta dhe më të hollësishme, apo informata jozyrtare, zgjodhën kanalet e Telegramit.

Përdoruesit mund të krijojnë me lehtësi kanale në Telegram dhe të postojnë përmbajtje për një numër të pakufizuar ndjekësish, në një formë nga lart poshtë dhe pa ndërhyrje algoritmike dhe pothuajse pa asnjë reklamë.

“Nuk ka platformë tjetër që mund ta mposhtë Telegramin kur bëhet fjalë për shtrirje në audiencë”, tha Lachenkov, duke shtuar se Facebook dhe Instagram nuk janë tashmë vetëm më pak volitshme, por edhe i kufizojnë përmbajtjet popullore në lidhje me luftën, duke i cilësuar si të rënda për audiencën, apo si promovim i qëllimshëm i dhunës apo gjuhës së urrejtjes.

Popullariteti i Telegramit në Ukrainë është rritur shumë prej se filloi pushtimi, pasi hiç më pak se 72 për qind të ukrainasve e përdorën atë për t’i marrë lajmet më 2023, krahasuar me 20 për qind më 2021, sipas një studimi nga Internews më 2023.

Telegrami i ka lënë në hije portalet e lajmeve (41 për qind), TV-në (30 për qind), radion (10 për qind), dhe gazetat e shtypura (3 për qind), si dhe mediat e tjera sociale dhe aplikacionet. Konkurrentët më të fortë të saj janë Facebook me 19 për qind dhe YouTube me 16 për qind.

Institucionet dhe zyrtarët ukrainas – përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, shërbimin inteligjent SBU dhe guvernatorin e njohur të rajonit Mikolaiv, Vitaliy Kim – kanë kanalet e veta shumë të njohura në këtë platformë.

Lachen Pyshe, kanali që tani ka mbi 1.5 milion ndjekës, e bëri Lachenkovin njërin prej influencerëve më të njohur në vend. Ai ka grumbulluar miliona dollarë për ushtrinë ukrainase dhe ishte në mesin e atyre që e përfaqësuan Ukrainën kur Parlamenti Evropian ia ndau popullit ukrainas çmimin “Sakharov” në dhjetor 2022.

Megjithatë, për dallim nga Lachen Pyshe, pothuajse të gjitha kanalet e mëdha në Telegram në Ukrainë udhëhiqen në mënyrë të fshehtë dhe roli i tyre në kohën e luftës është shumë më i paqartë.

Shumë kanale të njohura i përziejnë informatat e tyre për sulmet ajrore me përmbajtje të tmerrshme. Megjithëse kanë miliona ndjekës, ato shpesh i shpërfillin standardet e pranuara të gazetarisë.Për dallim nga mediat zyrtare në Ukrainë, shumë kanale të Telegramit janë në gjuhën ruse dhe cilësohen nga shumë njerëz si proruse.

Në Mars 2022, SBU-ja e publikoi një listë të kanaleve për të cilat tha se “kryejnë operacionale të veçanta psikologjike dhe informative në interes të Federatës Ruse”, ndërsa më vonë e zgjeroi atë. Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ukrainës tha se Rusia i shpenzoi 250 miliona dollarë për ta promovuar narrativën e vet në këtë platformë në Ukrainë.

Për më tepër, disa kanale ukrainase me ndikim – si “Vertical”, “Joker” dhe “House of Cards” – ka mundësi të jetë të lidhura fshehurazi me administratën presidenciale të Ukrainës, sipas monitoruesit ukrainas të mediave, Detector Media. Ato publikojnë informata të brendshme të paverifikuara dhe diskredituese që kanë për cak kritikët, përfshirë gazetarët e pavarur dhe kundërshtarët politikë.

“Postimet në Telegram nuk janë të kufizuara për përhapjen e propagandës së armikut. Telegrami është de fakto një rrjet i errët i legalizuar, ku jo vetëm që mund të blesh drogë apo të kesh qasje në pornografi të fëmijëve, por mund edhe të përfshihesh në krime kibernetike, sic bëjnë shumë grupe ruse të hakerëve”, tha për REL-in Yehor Aushev, ekspert në Institutin për Hulumtimin e Luftës Kibernetike.

Qasja në të dhënat dhe mjetet e përdoruesve, përfshirë në kamera dhe në gjeolokacionet e tyre, si dhe në të dhënat e rrjeteve të përdoruesve, e bëjnë Telegramin “spiun në xhepin e çdo ukrainasi”, sipas Aushevit.

Durov, themeluesi i Telegramit, i ka mohuar këto akuza. Ai u largua nga Moska më 2014.

Derisa shqetësimet po rriten, autoritetet ukrainase janë duke kërkuar ta gjejnë një zgjidhje për ta ulur mundësinë e rrezikut për dëmtimit nga Telegrami.

Më 25 mars, një grup i deputetëve e regjistruan një projektligj që ka për qëllim rregullimin e kësaj platforme.

Në dokumentin e tij theksohet se Telegrami “mund të jetë i lidhur me shtetin agresor”, si dhe propozon masa për ta detyruar kompaninë të bashkëpunojë me shtetin ukrainas, përndryshe përballet me kufizime.

“Ne e dimë tashmë se Telegrami ka marrëdhënie të mira me biznesin rus, [Shërbimin rus të Sigurisë] dhe me ushtrinë ruse. Dhe, ne nuk kemi fare kontroll mbi këtë”, tha Mykola Knyazhytskiy, ligjvënës nga partia opozitare, Solidariteti Evropian, i cili është edhe nismëtar i projektligjit.

Projektligji bën thirrje që Telegrami, si dhe disa platforma të tjera, të detyrohen ta themelojnë një zyre përfaqësimi në Ukrainë apo në një vend të BE-së për adresimin e ankesave rreth përhapjes së përmbajtjes së ndaluar. 

Një provizion kyç i projektligjit e detyron Telegramin ta bëjë të ditur strukturën e pronësisë dhe burimet e financimit me kërkesë të Këshillit Kombëtar të Ukrainës.

Por, kjo ka pak mundësi të ndodhë, duke parë se cfarë ndihet tashmë publikisht për financimin e tij.

Për kohë të gjatë Telegrami ka qenë jofitimprurës dhe nuk ka treguar të hyra zyrtare për tetë vjet, derisa e mundësoi reklamimin e kufizuar më 2021 dhe abonimet premium më 2022.

Më 2018, vëllezërit Durov tentuan të mblidhnin të holla duke e lansuar platformën blockchain, të quajtur Rrjeti i Hapur i Telegramit.

Megjithëse i siguruan 1.7 miliard dollarë për këtë projekt përmes shitjes së kriptovalutës Gram, kompania u urdhërua t’ua kthejë shumicën e të hollave investitorëve para se të lansohej, pas një beteje ligjore me Komisionin amerikan të Shkëmbimit dhe Letrave me Vlerë (SEC).

Në mesin e shumë investitorëve nga disa vende, ishin edhe biznesmenë rusë, si Roman Abramovich, Sergei Solonin dhe David Yakobashvilli.

Të gjithë këta kanë lidhje me Kremlinin, ndërsa Yakobashvili është edhe i sanksionuar nga Ukraina.

Sipas legjislacionit të propozuar, Telegrami me gjasë do të shpallej si “jotransparent” dhe përdorimi i tij nga autoritetet shtetërore dhe lokale, si dhe nga institucionet financiare që përpunojnë të dhëna personale, do të ndalohej.

Por, jo edhe për forcat e mbrojtjes dhe ato të sigurisë, të cilat do të lejoheshin ta përdornin Telegramin me leje të Qeverisë.

“Jo vetëm shqoëria jonë, por edhe institucionet shtetërore dhe bizneset e mëdha e përdorimin një platformë që është e lidhur ngushtë me Rusinë. Duhet ta ndalim”, tha Knyazhytskiy.

Në mars, autoritetet ukrainase ia dërguan Telegramit një listë me mbi 300 kanale “mbase problematike”, e cila ishte përpiluar nga shërbimet speciale, sipas Forbesit ukrainas.

Përfaqësuesi i Telegramit, Remi Vaughn, tha se kompania do të kontrollojë nëse ato janë në përputhje me rregullat e këtij aplikacioni.

Më 24 prill, Durov tha se për shkak të një kërkese nga Apple, Telegrami do ta kufizojë qasjen në disa kanale në lidhje me luftën për përdoruesit në Ukrainë, në mënyrë që aplikacioni të vijojë të jetë në dyqanin e Apple.

Pak kohë më vonë, disa chatbota të përdorura nga agjencitë ukrainase të sigurisë për mbledhjen e informatave për luftën e Rusisë, përfshirë për pozicionet e forcave ruse, u bllokuan përkohësisht, duke nxitur reagime të ashpra në Ukrainë.

Ligjvënësi Yaroslav Yurchyshyn, kryetar i Komisionit për Liri të Shprehjes, e fajësoi “trysninë ruse” për këtë./REL

Video