Raporti Global i Sigurisë 2026: Kosova ndër pesë vendet më të sigurta në Evropë, ja ku renditet Shqipëria!

2026-11-20 15:31:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Raporti Global i Sigurisë 2026: Kosova ndër pesë vendet më

Kosova është renditur në vendin e pestë në Evropë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit (Law and Order Index), sipas raportit më të fundit “Global Safety Report 2026”, të publikuar nga organizata amerikane Gallup.

Sipas të dhënave të raportit, Kosova ka grumbulluar 90 pikë nga 100 të mundshme, duke u pozicionuar në vendin e 14-të në nivel global. Me këtë rezultat, ajo ndan vendin e pestë në Evropë me Danimarkën dhe Finlandën.

Pas publikimit të raportit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë renditje si një lajm të mirë për vendin.

“Lajm i mirë për Kosovën! Sipas Raportit Global të Sigurisë 2026 të Gallup-it, Kosova renditet si vendi i pestë më i sigurt në Evropë, bazuar në tregues që përfshijnë edhe ndjesinë e sigurisë së njerëzve kur ecin vetëm gjatë natës”, shkroi Kurti në një postim në rrjetin social “X”.

 


Në krye të renditjes evropiane qëndron Islanda me 93 pikë, e ndjekur nga Zvicra, Lituania dhe Norvegjia, me nga 91 pikë secila.

Sa i përket Shqipërisë, ajo ka marrë 86 pikë dhe renditet në vendin e 20-të në Evropë, duke u pozicionuar pas Kosovës në këtë indeks. Të njëjtin rezultat me Shqipërinë kanë marrë edhe disa vende të tjera evropiane.

Në krahasimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka rezultatin më të lartë. Pas saj vjen Shqipëria me 86 pikë, Mali i Zi me 84, Serbia me 82, Bosnja dhe Hercegovina me 79 dhe Maqedonia e Veriut me 78 pikë.

Indeksi i Gallup-it vlerëson perceptimin e qytetarëve për sigurinë dhe rendin publik përmes disa treguesve, përfshirë ndjenjën e sigurisë gjatë ecjes vetëm natën, besimin te policia lokale dhe përvojat me vjedhjet, sulmet fizike apo grabitjet gjatë vitit të fundit.

Raporti i vitit 2026 bazohet në anketa të zhvilluara gjatë vitit 2025 me më shumë se 143 mijë persona në 140 vende dhe territore të botës. Mesatarja globale e Indeksit të Ligjit dhe Rendit ishte 80 pikë, ndërsa Kosova me 90 pikë qëndron dukshëm mbi këtë nivel.


Video