
Presidenti Donald Trump dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po shqyrtojnë mundësinë e shkarkimit të ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas një serie raportimesh që pretendojnë se ajo është përfshirë në sjellje të papërshtatshme dhe ndoshta të paligjshme, përpara dhe gjatë mandatit të saj në Athinë.
Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi të dielën se Trump dhe Rubio janë “jashtëzakonisht të zemëruar” për sjelljen e raportuar të Guilfoyle dhe se ka të ngjarë të vendosin këtë javë se çfarë masash do të ndërmarrin, pas festës së Ditës së Kristofor Kolombit të hënën.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi konsultimet e brendshme, tha se Rubio ishte veçanërisht i zemëruar, jo më pak sepse kishte vizituar Athinën vetëm javën e kaluar dhe Guilfoyle kishte marrë pjesë në shumicën, nëse jo në të gjitha, aktivitetet e tij. Ajo e kishte përshëndetur atë me një përqafim të fortë sapo kishte mbërritur, ndërsa pretendimet po bënin xhiron e mediave.
Në një seri artikujsh, The Wall Street Journal ka raportuar për sjellje të diskutueshme të Guilfoyle, përfshirë një kërcënim të pretenduar ndaj një zyrtari të vendit pritës, pranimin e dhuratave dhe shërbimeve të papërshtatshme, si dhe ofrimin për të përdorur ndikimin e saj brenda administratës në këmbim të pagesës së një fature të madhe të kartës së kreditit.
Guilfoyle nuk i ka komentuar drejtpërdrejt raportimet, megjithëse avokati i saj ka deklaruar se ajo nuk ka bërë asgjë të gabuar, ndërsa ambasada amerikane në Athinë ka shprehur në mënyrë të tërthortë mbështetje për të.
Pasi e mbrojti Guilfoyle pas raportimit të parë, Rubio ka refuzuar të komentojë publikisht mbi akuzat që po shtohen. Të mërkurën, Rubio deklaroi: “Ambasadorja jonë ka qenë një ambasadore e fortë këtu”.
Por, pasi një tjetër raportim u publikua vonë të mërkurën, Rubio, të enjten, përpara se të largohej nga Athina, qortoi gazetarët që e pyetën për pretendimet, duke thënë se nuk e dinte nëse ato ishin të vërteta dhe se nuk do të përgjigjej nëse nuk mund t’i konfirmonte.
“Ju silleni sikur, vetëm sepse një burim ju ka thënë diçka dhe ju e keni raportuar, kjo të jetë ungjilli. Nuk është ungjilli. Për mua nuk është ungjilli. Kështu nuk i bëjmë ne gjërat”, tha Rubio pranë avionit të tij, ndërsa Guilfoyle, e cila kishte dalë për ta përcjellë, e ndiqte nga afër.
Zyrtari tha se Rubio ishte bërë gjithnjë e më i irrituar teksa raportimet shtoheshin.
Një zyrtar i dytë amerikan, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të personelit, tha se inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit po shqyrton pretendimet, të cilat filluan të shfaqeshin në The Wall Street Journal në fund të muajit të kaluar dhe që atëherë janë shtuar.
Zyrtari i dytë nuk mundi të thoshte nëse kishte nisur një hetim zyrtar nga inspektori i përgjithshëm. Inspektorët e përgjithshëm shpesh kryejnë verifikime joformale për ankesat ndaj punonjësve dhe, në shumë raste, këto verifikime nuk çojnë në një hetim të plotë, i cili mund të rezultojë në masa disiplinore, deri dhe në shkarkim.
Departamenti i Shtetit ka refuzuar të komentojë mbi një hetim të mundshëm nga inspektori i përgjithshëm.
Dy demokratët më të lartë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, përfaqësuesi Gregory Meeks nga Nju Jorku dhe senatorja Jeanne Shaheen nga Nju Hampshiri, si dhe anëtari kryesor i pakicës demokrate në Komisionin e Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve, Robert Garcia nga Kalifornia, kanë kërkuar tashmë nisjen e një hetimi ndaj Guilfoyle.
Që nga fundi i shtatorit, The Wall Street Journal ka publikuar një sërë dëshmish mbi sjelljen e diskutueshme të Guilfoyle.
Raportimi i parë pretendonte se ajo u kishte thënë të ftuarve në një pritje se SHBA-ja mund të minonte qeverinë greke nëse do të zgjidhte ta bënte këtë. Gjithashtu, ajo akuzohej se kishte promovuar interesat e biznesit të një kompanie të caktuar greke të ndërtimit dhe energjisë, si dhe se kishte lejuar lobistin e saj të merrte pjesë në takime private diplomatike.
Gjatë vizitës së Rubios në Athinë, The Wall Street Journal raportoi, duke iu referuar mesazheve me tekst, se Guilfoyle i kishte kërkuar një donatori dhe mbështetësi të Trump të paguante një faturë të kartës së saj të kreditit prej 100 mijë dollarësh, pak përpara se të zhvillohej seanca dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj. Në këmbim, ajo i kishte premtuar mundësi kontakti me zyrtarë të administratës.
Më pas, gazeta raportoi se Guilfoyle ishte zemëruar pasi nuk ishte ftuar në një aktivitet me tematikë greke në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, në fillim të këtij viti. Ajo kishte kërkuar të merrte pjesë, ndërsa ishte mburrur për udhëtimet luksoze në Francë me drejtues të kompanive të energjisë.
Një tjetër raportim, i publikuar nga tabloidi britanik The Daily Mail, pretendonte se Guilfoyle kishte krijuar marrëdhënie të këqija me stafin e ambasadës amerikane në Athinë dhe kishte tejkaluar kufijtë e sjelljes së përshtatshme për përfaqësuesen më të lartë të qeverisë amerikane në Greqi.
Guilfoyle është ish-prezantuese e Fox News Channel dhe ish-prokurore në Kaliforni, e cila dikur ishte e fejuar me Donald Trump Jr., djalin e presidentit amerikan.