Rama nga Kukësi: Biznesi i vogël nuk do të paguajë taksa deri në vitin 2029

30 Prill 2025, 17:42Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kukës programin elektoral, ku theksin e vendosi te zhvillimet ekonomike të vendit.

Rama u ndal te platforma e PS për mbështetjen e biznesit të vogël duke thënë se qeveria do të vazhdojë politikën e lehtësimeve fiskale për ta deri në vitin 2029.

Ai sqaroi se subjektet që realizojnë të ardhura vjetore deri në 100 mijë euro do të përjashtohen plotësisht nga tatimi mbi fitimin dhe nga TVSH-ja.

Ndërsa për ata që qarkullojnë deri në 140 mijë euro në vit, do të aplikohet vetëm TVSH-ja, por jo tatimi mbi fitimin.

“Taksa për biznesin e vogël është praktikisht zero. Të gjithë ata që kanë një biznes të vogël me deri në 100 mijë euro në vit, nuk paguajnë as tatim-fitimi dhe as TVSH. Edhe për ata me deri në 140 mijë euro në vit, ka vetëm TVSH. Kjo është një mënyrë për të mbështetur familjet dhe bizneset e vogla”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka tashmë një nga sistemet më të favorshme tatimore për biznesin e vogël në rajon.

Rama konfirmoi se këto përjashtime do të qëndrojnë në fuqi deri në vitin 2029, duke synuar që bizneset e vogla të kenë më shumë të ardhura të disponueshme dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre ekonomike.

Video