Më pak se 60 mijë persona, vetëm 0.001% e popullsisë globale, zotërojnë tre herë më shumë pasuri sesa gjysma më e varfër e njerëzimit, sipas raportit të fundit World Inequality Report 2026, i cili paralajmëron se pabarazitë ekonomike globale kanë arritur nivele alarmante që kërkojnë veprime urgjente.
Raporti, i bazuar në të dhëna të mbledhura nga 200 studiues, tregon gjithashtu se 10% e të ardhurave më të larta tejkalojnë të ardhurat e 90% të tjerëve, ndërsa gjysma më e varfër e popullsisë globale merr më pak se 10% të të ardhurave totale.
Kur bëhet fjalë për pasurinë, vlerën e pronave dhe investimeve, situata është edhe më ekstreme: 10% e pasurive botërore zotërojnë 75% të gjithë pasurisë, ndërsa gjysma më e varfër vetëm 2%. Në pothuajse çdo rajon, 1% e më të pasurve është më e pasur se 90% e tjerëve të kombinuar, me pabarazi që rritet me shpejtësi në mbarë botën.
“Rezultati është një botë ku një pakicë e vogël ka fuqi financiare të paprecedentë, ndërsa miliarda njerëz mbeten jashtë stabilitetit bazik ekonomik”, shkruajnë autorët, të udhëhequr nga Ricardo Gómez-Carrera nga Paris School of Economics.
Raporti vëren se pjesa e pasurisë botërore e mbajtur nga 0.001% më e pasur është rritur nga 4% në 1995 në më shumë se 6% sot, ndërsa pasuria e multimilionerëve ka rritur mesatarisht rreth 8% në vit që nga vitet ’90, gati dy herë më shpejt se gjysma më e varfër e popullsisë.
Sipas autorëve, mes tyre edhe ekonomisti i njohur francez Thomas Piketty, pabarazia nuk është më një fenomen thjesht ekonomik. Ajo ka arritur nivele që kërkojnë veprim urgjent, jo vetëm për drejtësi sociale, por edhe për qëndrueshmërinë e ekonomive, stabilitetin e demokracive dhe mbijetesën e planetit.
Raporti vëren se pabarazia e mundësive ushqen pabarazinë e rezultateve. Për shembull, shpenzimet për arsim për çdo fëmijë në Evropë dhe Amerikën e Veriut janë mbi 40 herë më të larta se në Afrikën nën-Sahariane, duke krijuar një “gjeografi të mundësive” që përcakton fatin ekonomik të individëve që në fillim.
Një tatim global 3% mbi më pak se 100 mijë miliarderë dhe centimiliarderë mund të gjeneronte 750 miliardë dollarë në vit, të mjaftueshëm për buxhetin e arsimit të vendeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
Raporti tregon gjithashtu se sistemi financiar global është i rregulluar në favor të vendeve të pasura, duke lejuar ato të huazojnë me kosto të ulët dhe të investojnë jashtë vendit me fitime të larta. Rreth 1% e GDP-së globale transferohet çdo vit nga vendet e varfra tek ato të pasura përmes këtyre mekanizmave, pothuajse trefishin e ndihmës ndërkombëtare për zhvillim.
Në aspektin gjinor, raporti thekson se pagat e grave janë vetëm 61% të të ardhurave të meshkujve për çdo orë pune dhe duke përfshirë punën e papaguar, ky numër bie në 32%.
Raporti lidh pasurinë me ndikimin në ndryshimet klimatike: 10% më të pasurit e botës shkaktojnë rreth 77% të emetimeve të karbonit të lidhura me pronësinë e kapitalit, ndërsa gjysma më e varfër vetëm 3%. Ata që emetojnë më shumë janë më të mbrojtur ndaj pasojave, ndërsa ata që emetojnë më pak, kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta, janë më të ekspozuar ndaj katastrofave klimatike.
Autorët theksojnë se pabarazia mund të reduktohet përmes investimeve publike në arsim dhe shëndetësi, si dhe programet efektive të tatimit dhe shpërndarjes së pasurisë, por kjo kërkon vullnet politik, ndërsa ultra-të pasurit shpesh shmangin tatimet.
“Veglat ekzistojnë. Sfida është vullneti politik”, përfundon raporti.