
Reforma e vitit 2014 e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve dhe raportin mes kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe pensionistëve.
Por, emigrimi, informaliteti i lartë dhe nëndeklarimi i pagave po e dëmton.
Ky është vlerësimi i Bankës Botërore, që në tryezën e organizuar këtë të mërkurë me Qeverinë shqiptare propozoi me një gjuhë teknike ndërhyrjen përmes ndryshimit të skemës.
Ekspertët e Bankës propozuan zgjatje të viteve të punës për daljen në pension, që sipas tyre jo domosdoshmërisht rrit moshën për përfitimin e pensionit.
U propozua gjithashtu ndërhyrja në përmirësimin e barazisë së kontribuesve në sistem.
Banka Botërore nuk këshillon rritje masive të pensioneve, duke argumentuar se një gjë e tillë do të rrisë presionin ndaj skemës së kontributeve shoqërore.
Në vend të kësaj, bonuset, apo indeksimet suplementare në kuadrin e disa kushteve specifike, thotë BB, mund të aplikohen.
Në të njëjtën tryezë, Kryeministri Edi Rama pati rezerva për rekomandimet e Bankës Botërore.
Kreu i Qeverisë tha në fjalën publike se skema aktuale ka nevojë për përmirësim, por se ajo nuk do të preket.
Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja vuri theksin te raporti mes të punësuarve dhe pensionistëve, që aktualisht është 1.1 me 1.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të refuzojnë pagesat në të zezë, bizneseve që të rrisin pagat dhe institucioneve shtetërore që të tkurrin pozicionet parazitare në administratë.