Gjiganti japonez i automobilave, Honda, ka regjistruar humbjen e parë vjetore në 70 vite aktivitet, duke shënuar një moment kritik për industrinë globale të makinave elektrike.
Siç shkruan BBC, kompania raportoi një humbje operative prej 423 miliardë jenësh, ose rreth 2.68 miliardë dollarë, për vitin financiar që përfundoi në mars 2026.
Sipas Honda-s, një nga arsyet kryesore të krizës është rënia e kërkesës për automjete elektrike, e cila rezultoi shumë më e ulët nga sa pritej. Përballë kësaj situate, kompania ka vendosur të tërhiqet nga disa objektiva ambicioze për prodhimin e makinave elektrike dhe të furnizohet me pjesë nga Kina, ku kostot janë më të ulëta.
Në vështirësitë financiare ndikuan edhe politikat e reja në SHBA. Heqja e stimujve tatimorë për blerësit e automjeteve elektrike nga administrata e Donald Trump, si dhe tarifat mbi makinat dhe pjesët e importuara, goditën rëndë fitimet e prodhuesve të mëdhenj të automobilave.
Honda, e cila konsiderohet kompania e dytë më e madhe automobilistike në Japoni, po përballet me sfida të mëdha për t’u përshtatur me ndryshimet e shpejta në tregun global të automjeteve elektrike.
Analistët vlerësojnë se kompanitë tradicionale kanë vështirësi të reagojnë me shpejtësi ndaj luhatjeve të kërkesës dhe konkurrencës së fortë nga prodhuesit kinezë.
Si pjesë e strategjisë së re, Honda do të fokusohet më shumë te biznesi i motoçikletave, automjetet hibride dhe shërbimet financiare. Kompania ka pezulluar gjithashtu planet për ndërtimin e fabrikave të automjeteve elektrike dhe baterive në Kanada.
Drejtori ekzekutiv Toshihiro Mibe konfirmoi se Honda ka hequr dorë nga objektivi që automjetet elektrike të përbëjnë 20% të shitjeve deri në vitin 2030, si dhe nga plani që e gjithë gama e automjeteve të jetë elektrike deri në vitin 2040.
Ekspertët e tregut e cilësojnë këtë zhvillim si një sinjal alarmi për industrinë automobilistike globale.
Sipas analistes financiare Danni Hewson, shumë kompani tradicionale “vunë bast” se konsumatorët do të kalonin shpejt te makinat elektrike, por realiteti ekonomik, kostot e larta të jetesës dhe konkurrenca nga Kina kanë ndryshuar rrjedhën e tregut.
Megjithatë, rritja e çmimeve të karburanteve për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme ka sjellë një interes të ri për automjetet elektrike. Pavarësisht kësaj, ekspertët paralajmërojnë se tregu do të vazhdojë të përballet me pasiguri dhe sfida të mëdha në vitet e ardhshme.