Cenimi i privatësisë së qytetarëve, gjobiten 19 subjekte në vitin 2023

10 January 2024, 13:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Cenimi i privatësisë së qytetarëve, gjobiten 19 subjekte

Gjatë vitit që lamë pas janë gjobitur 19 subjekte për shkak se kanë abuzuar me të dhënat e qytetarëve. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka marrë vendime me masat administrative përkatëse për 19 subjekte publike dhe private, duke konstatuar shkelje të shumta sa i takon zbatimit të legjislacionit i cili garanton privatësinë e qytetarëve. Në total, vlera e gjobave të vendosura arrin në 4.52 milionë lekë, dhe secili subjekt është penalizuar me shuma të ndryshme në varësi të shkeljes.

Por cilët kanë qenë sektorët më problematikë në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar?

Referuar vendimeve të marra nga komisioneri duket se kompanitë që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme,  kompanitë e udhëtimit, kompanitë postare, publike dhe jo publike,  sigurimet, kompanitë që ushtrojnë marketing përmes telefonit, janë më të ndëshkuarat.

Ndërsa,  së fundmi një vëmendje e shtuar për kontrolle ka qenë edhe në kopshtet jo publike të Tiranës, që lidhet me publikimin e fotove të fëmijëve në rrjete sociale, pa marrë më parë pëlqimin e prindërve.

Sa i takon subjekteve immobiliare, problematika vihet re në faktin se kompanitë nuk informojnë subjektet e të dhënave për qëllimin dhe mënyrën e përpunimit të të dhënave personale, personin që do t’i përpunojë të dhënat, afatin e mbajtjes së të dhënave, masat e sigurisë, të drejtat gëzojnë (akses, korrigjim dhe fshirje) etj.


Video