Këngëtarja Aurela Gaçe ka reaguar publikisht pas aludimeve që, sipas saj, kanë përfshirë emrin e saj në historinë e videove intime.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gaçe shprehet se nuk mund të heshtë përballë asaj që e konsideron shpifje dhe cenim të dinjitetit të saj. Duke mos përmendur emrin e Adrian Hilës, Gaçe sqaron gjithashtu se bashkëpunimet e saj muzikore me autorë të industrisë janë marrëdhënie profesionale dhe, sipas saj, nuk i japin askujt të drejtën të sajojë histori për jetën e saj private.
“Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me tilla përmbajtje është i pavërtetë”, shkruan këngëtarja në reagimin e saj.
Gaçe thekson se është bijë, nënë dhe bashkëshorte dhe se dinjiteti i askujt nuk duhet të kthehet në objekt përbaltjeje apo argëtimi publik. Ajo shprehet se nuk merr përsipër të gjykojë jetën private të të tjerëve, ndërsa deklaron mbështetjen e saj për gratë dhe vajzat që përballen me shpifje, poshtërim apo cenim të privatësisë.
Këngëtarja paralajmëron se nuk do të tolerojë përdorimin e emrit të saj në histori që i konsideron të sajuara dhe se, për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin e saj, do të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë.
Reagimi i plotë i Aurela Gaçes:
Përshëndetje!
Ditët e fundit po shoh emrin tim të përfshihet në lajme e aludime të pabazuara. Përballë shpifjeve që cenojnë dinjitetin tim, nuk mund të hesht.
Bashkëpunimet e mia muzikore me autorë të kësaj industrie janë marrëdhënie profesionale. Ato nuk i japin askujt të drejtën të sajojë histori për jetën time apo ta përdorë emrin tim për të nxitur thashetheme.
Dua të jem e qartë:
Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë.
Jam bijë, nënë dhe bashkëshorte.
Dinjiteti i askujt nuk duhet të bëhet objekt përbaltjeje apo argëtimi publik.
Dinjitetin tim e kam shume të shtrenjtë dhe nuk lejoj askënd t'a përdhosë.
Edhe një herë! NUK LEJOJ ASNJË TË MË PËRBALTË .
Nuk marr përsipër të gjykoj jetën private të të tjerëve.
Jam në krah të çdo vajze e gruaje që përballet me shpifje, poshtërim apo cenim të privatësisë.
Nuk do të toleroj përdorimin e emrit tim në histori të sajuara. Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë.
Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur.