
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pretenduar se qëndrimi i saj paraprak për protestat në Shqipëri është keqinterpretuar nga mediat në Kosovë.
Rreth fjalisë së saj ku përmendi arrogancën si faktor nxitës në dhunë, ajo theksoi se nuk i është referuar asnjë institucioni apo figure specifike politike në Shqipëri, por ka folur për qasjen universale që pushtetet duhet të kenë ndaj pakënaqësive qytetare.
“Po shoh që disa media e kanë shtrembëruar përgjigjen time për protestat në Shqipëri”, deklaroi Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook. “Kur kam thënë se arroganca vetëm i nxit protestat, kam folur për mënyrën si duhet t’u qasemi protestave në përgjithësi, me seriozitet dhe me gatishmëri për të dëgjuar”.
Gjithashtu, ajo ka hedhur poshtë pretendimet për pjesëmarrjen e organizuar të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Tiranë.
“Sa i përket pjesëmarrjes, dua të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Lëvizja Vetëvendosje që të mbështeten protestat. Nuk mund të mbahet përgjegjëse Lëvizja Vetëvendosje nëse mbështetësit e saj shkojnë e protestojnë në Tiranë”.