Nuk e di se çfarë do të ndodhë me “tik-tokerin me skoliozë”, tashmë në arrest.
Do e dënojnë, do e burgosin, do e varin, nuk ka asnjë rëndësi. Për mua.
Një nënë i mungon fëmijës së saj. Dënimi, apo mëshirimi i tij nuk e kthen më pas.
Por, vdekja e saj, pendimi i saj, mund të jetë një thirrje, një ulërimë, një klithmë për të gjitha gratë e vajzat që e shohin tik-tokun dhe tik-tokerët si mundësi fame, biznesi, përfitimi, argëtimi, duke vënë në lojë trupin dhe pak momente adrenaline nga ndjekja e mijëra të panjohurve, që jo pak herë është kthyer në përndjekje, me raste tragjike madje.
Ende hetimet nuk kanë dalë në përgjigjen, që sipas meje është thembra e Akilit për zbardhjen e ngjarjes që tronditi vendin: Si dreqin vallë u shkrep ajo foto?
Si djallin një grua e bukur dhe e re, një nënë, ndoshta në debate me të shoqin, “zgjedh” për (hamendësime) hakmarrje, për pagesë, për famë, apo (nuk e imagjinoj dot) dashuri, një mashkull jo fort tërheqës (as fizikisht, as mendërisht. Mos e krahasoni me Kuazimondon, bëni gabim).
Këtu ka një mister, që duhet ta zgjidhin hetimet. Mund të shtoja edhe kërcënim, drogim, shantazhim, por foto nuk ma lejon krejtësisjt këtë hamendje.
Por sido të jetë, shpresoj e vërteta duhet të dalë sa më shpejt për të qetësuar pak shpirtra të vrarë, e mijëra shpirtra të tjerë të trazuar.
Megjithatë për mua thirrja e saj është aq kumbuese për veshët e grave dhe vajzave: Çlirohuni, mos e shihni mashkullin “e famshëm” si shpëtim të halleve tuaja, mos e jepni trupin tuaj për një kokëshkrepje, mundohuni të fitoni lirinë tuaj ekonomike sepse ajo u sjell dinjitetin, respektin, barazinë, mundësinë e zgjedhjes dhe të jetës. Mos kaloni thjesht nga “zinxhirët” e babit në atë të “meshkujve”.
Tik-toku është thjesht pasqyra e realitetit “të panjohur” shqiptar, që shfaqet herë pas here me lajmet për burgosjen e gruas, rrahjen, plagosjen, dhunimin, përdhunimin, vrasjen, poligaminë, mburrjen për “dashnoret”…
Shoqëria e egër shqiptare nuk do t’ju fali. Do t’ju gjykojë, edhe të vdekura. Nuk jemi emancipuar, madje kemi regres me ç’duket përditë në trajtimin e gruas dhe vajzave.
Ndaj ju duhet të luftoni vetë, mos prisni nga të tjerët. Siç e shihni më shumë njerëz mblidhen poshtë ballkonit të Saliut se sa për vdekjet e të ngjashmeve tuaja.
Secila duhet të bëjë luftën e saj. Mos e zgjidhni rrugën e lehtë. Keni shembuj plot për të ndjekur, madje edhe në tik-tok.
PS: Ndoshta shumë nga mediat serioze mund ta rimendojnë sadopak ripublikimin e fotos së asaj gruaje, për hir të fëmijës, familjes dhe efekteve që ndjell në publik.