Lartësimi i Rilindasve në veprën e Hamit Boriçit

25 Prill 2024, 10:15Pikëpamje SHKRUAR NGA XHEVDET SHEHU
Prof. Hamit Boriçi dhe Xhevdet Shehu

Nga Xhevdet Shehu

- Disa shënime për librin “Publicistë të Rilindjes” –

Libri “Publicistë të Rilindjes” i Prof. Hamit Boriçit ka një peshë të madhe. Jo pse është një vepër voluminoze, por sidomos për përmbajtjen dhe mesazhet e mëdha që përcjell ndër breza. Libri është një homazh madhështor për personalitete të mëdha të Rilindjes sonë kombëtare, për ata që shkëlqyen si një kostelacion yjesh në një kohë që qielli i Shqipërisë ishte i përmbytur nga një errësirë shekullore dhe kur në horizont nuk dukej asnjë shpresë. Ata rilindën kombin, e zgjuan nga gjumi letargjik dhe ngritën lart flamurin e shpresave tona për shtetin, lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

Deviza e vetme e tyre ishte Atdheu. Veçmas njëri-tjetrit dhe herë-herë së toku ata ranë në një mendje për ta bërë Shqipërinë në një kohë që ajo ekzistonte në ëndrrat dhe në dëshirat e tyre. Dhe kjo ishte një kryevepër që ata e bënë duke sakrifikuar gjithçka dhe, njëkohësisht, për të mbetur të përjetshëm në panteonin kombëtar.

Hamit Boriçi ka shkruar shumë libra për gazetarinë shqiptare që nga fillimet e deri më sot, duke qenë studiuesi më këmbëngulës dhe më skrupuloz në këtë fushë. Megjithatë unë them se vepra “Publicistë të Rilindjes” ka për të mbetur si vepra më e mirë e tij, një vepër referenciale për historinë e gazetarisë dhe për ata që do të kenë mençurinë, pasionin  dhe vetëdijen për të vazhduar në këtë hulli të mendimit dhe për ta pasuruar këtë vepër të Profesor Boriçit.

Duket e lehtë t’i pohosh këto fakte pasi kemi kapërcyer shekullin e parë të pavarësisë sonë dhe pasi kemi përshkuar një rrugë të mundimshme, por gjithsesi të suksesshme. Por të shprehje ato mendime dhe ide me aq guxim e largpamësi në një shekull obskurantist si ai i 19-ti, kupton se sa mendjendritur kanë qenë rilindësit tanë. Ato mendime dhe ide kanë një rezonancë dhe një aktualitet të habitshëm edhe për kohën që jetojmë.

“Çfarë do të bëjë Europa humanitare për një komb të varfër dhe pa mbrojtje siç është Shqipëria?! A do të denjojë ajo të thotë fjalën për të mbrojtur të drejtat e saj?!”, shprehej Abdyl Frashëri më shumë se një shekull më parë. Por, a nuk i themi në një formë a në një tjetër, herë me zemërim e revoltë, herë me arsyetim të qartë edhe sot e kësaj dite këto fjalë? Të shqiptuara nga Abdyl Frashëri këto fjalë marrin një vlerë shumë të madhe.

***

Nëpërmjet publicistëve të përzgjedhur nga Prof. Hamit Boriçi nuk është e vështirë të kuptohet synimi i tij si autor për të ndriçuar një nga periudhat më të rëndësishme dhe të pa të metë sikurse ishte ajo e Rilindjes sonë Kombëtare.

E pra, të gjithë e dimë se Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje mbarëkombëtare shqiptare që synonte: çlirimin e vendit, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të shtetit të ri shqiptar.  Kryefjala që shprehte shqetësimin dhe brengën e gjithë rilindësve tanë ishte kombi, atdheu, kur horizontet nxinin nga të gjitha anët. Por ata ishin të vendosur për ta bërë Shqipërinë edhe në kushtet më ekstreme të armiqësive, urrejtjeve dhe synimeve të hapura shoviniste për ta zhbërë kombin tonë.  

Dhe fillimisht ata e bënë Shqipërinë në mendjen e tyre, i bënë jehonë këtij atdheu të ëndërrt, luftuan dhe u sakrifikuan për të. Ata nuk e panë të realizuar ëndrrën dhe shpresën e tyre. Edhe sot e kësaj dite ne flasim për Shqipërinë e vërtetë sipas dëshirës së rilindësve dhe shpesh iu referohemi atyre.

Lëvizja e Rilindjes ishte rezultat i lëvizjes politiko-shoqërore dhe kulturore për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimet e huaja. Kjo lëvizje nisi nga mesi i shekullit XIX dhe përfundoi në vitin 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kështu është thënë zyrtarisht dhe kjo është e provuar nëpërmjet shumë veprave dhe dokumenteve historike. Pavarësisht se në frymën dhe vazhdën e veprës dhe shembullit të rilindësve vazhdoi të shkruhej edhe shumë vite më pas. Madje edhe sot e kësaj dite. Pse ndodhi kështu? Sepse edhe më shumë se një shekull pas shpalljes së pavarësisë, çështja kombëtare shqiptare vazhdon ende të jetë e pazgjidhur përfundimisht. Kombi shqiptar jeton i ndarë në disa shtete dhe shqiptarët janë ndoshta i vetmi komb në botë ku shteti amë rrethohet nga bashkëkombasit e vet. Por edhe deri kur do të vazhdojë kjo gjendje? Prandaj dhe fryma e Rilindjes vazhdon të mbahet gjallë.

Këtë frymë na e sjell në këtë vepër Prof. Hamit Boriçi. Dhe nga ky libër mund të nxirren shumë mësime, të bëhen nënvizime dhe të hartohen programe për mbrothësinë tonë në të ardhmen. Fjala vjen, Rilindja drejtohej nga intelektualë atdhetarë, që vinin nga kategori të ndryshme shoqërore dhe fetare, kryesisht të pasur që gjithçka e vunë në shërbim të kombit, përfshi pasurinë dhe jetën e tyre. Dhe kjo ishte një sakrificë sublime që ata e bënë, ndaj dhe shkëlqejnë edhe sot e kësaj dite me veprën e tyre.  Por, a jemi ne të sotmit, a janë gazetarët, publicistët dhe historianë tanë në lartësinë e idealizmës së paraardhësve tanë rilindës? Kjo është një çështje e madhe, sidomos kur vërejmë se një pjesë e bashkëkohësve tanë janë bjerrur nga vlerat më të qenësishme të rilindësve. Profesor Boriçi rrëfen thjesht jetën dhe veprën e publicistëve rilindas, nuk komenton mbi aktin sublim të atdhetarëve tanë të mëdhenj, pasi vepra e tyre është e përkryer në të gjitha aspektet.

Ata e bënë Shqipërinë fillimisht në mendjet e tyre. Në ëndrrat e tyre. Sipas dëshirës së tyre. Më vonë ëndrra do të materializohej, ndonëse jo tërësisht.

Ata shkruajtën shqip, kur ne ende nuk kishim një alfabet të shqipes.

Ata shpiknin alfabete ngjashëm me gjuhët e tjera dhe shtypnin gazeta dhe libra kur shumica dërrmuese e shqiptarëve ishin analfabetë.  

Ata folën shqip kur ne nuk kishim shkolla shqipe dhe kur konsiderohej herezi të flisje shqip. Ata kushtruan shqip pa ndonjë organizim partiak dhe kur e dinin se ndodheshin të sulmuar nga të gjitha anët.

Ata e bënë në mënyrë të përkryer detyrën e tyre, pasi kryefjala e vetme e tyre ishte Shqipëria.

***

Nga leximi i veprës së Profesor Boriçit nënteksti lehtësisht i lexueshëm është se Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte një vijimësi e natyrshme dhe krejtësisht normale e Rilindjes Europiane.

Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk ishte aspak e rastësishme. Rilindësit tanë ishin shëmbëlltyra më e mirë e iluministëve europianë. Atyre italianë në veçanti.

Rilindja Europiane, ishte një kohë ndryshimi që çoi në një mënyrë të re konceptimi të botës dhe vetvetes, nëpërmjet ideve të humanizmit, të lindur në letërsi në shekullin XIV nga interesi i rilindur për studimet klasike, mbi të gjitha të Françesko Petrarkës, duke arritur të ndikonte për herë të parë si në artet pamore ashtu dhe në mentalitetin mbizotërues. Qyteti i Firences, në Itali, qe vendi i lindjes dhe zhvillimit të kësaj lëvizjeje, që u shtri në të gjithë Evropën.

Kjo epokë e madhe shkëlqeu midis fundit të Mesjetës dhe fillimit të kohës moderne.  U quajt jo më kot Rilindje. Rinascita e cilësuan italianët për t’u evropianizuar më pas si Renaissance nga francezët.

Petrarka, në fillim të shekullit XIV, shkroi:

“Vetmia është atdhe, liri, kënaqësi,/ e kam fjalën për atë vetmi që ndjell qetësinë e jo egërsinë, / kurse pa ngushëllimin e letërsisë, vetmia kthehet në internim, në burg, në torturë.”

Atdheu! Ah, Atdheu! Ai na mungonte ne shqiptarëve, sidomos. Mbase këtu fillon gjithçka. Po rilindej një botë e re, një botë tjetër me dritë, me ide dhe me një vizion të paparë ndonjëherë. Atdheu më së pari. Këtu fillon zgjimi. Dhe aty rilind një botë marramendëse. Me letërsi dhe arte të bukura që mahnitën botën me shkëlqimin e tyre që na mrekullon edhe sot e kësaj dite. Ky zhvillim do të sillte doemos dhe zhvillimet politike të pashmangshme.

Rilindja jonë eci në gjurmët e Rilindjes europiane. Ky është një akt madhështor i rilindësve tanë. Ata patën nuhatjen e mrekullueshme dhe ndoqën rrugën e qytetërimit mbarëbotëror.

Të mos harrojmë se këto fjalë të Petrarkës, që i citova pak më sipër,  janë shkruar rreth shtatë shekuj më parë. Dhe ishte ai që i tha në një natë të frikshme mesjetare. Kur nuk kishte as elektricitet, as internet. Pas tij, të frymëzuar nga ai erdhën mijëra të tjerë, deri tek rilindësit tanë.

Përhapja e ideve të Humanizmit shpuri (dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe) domosdoshmërisht në një konceptim të ri të njeriut dhe botës. Rilindja shënoi nisjen e Kohës Moderne, një periudhë historike që në përgjithësi vendoset midis shekullit XV dhe Revolucionit francez në 1789.

Rilindasit tanë u ushqyen nga ato ide progresiste, u frymëzuan, u motivuan dhe  bënë një kryevepër: Ata e bënë Shqipërinë! Fillimisht si nocion, si ndjenjë dhe mandej si realitet historik të pakontestueshëm.

Rilindja ishte Frymë. Ishte Vizion. Ishte e Ardhme.

Nga leximi dhe studimi i veprës së tyre madhështore, mendoj se ata ishin plotësisht të vetëdijshëm në kryerjen e veprës së tyre, por edhe të vetësakrifikimit njëkohësisht. Sepse ata ishin realistë dhe idealistë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Prandaj dhe ata janë madhështorë.

A ishte e vonuar Rilindja jonë në krahasim me atë evropiane? Natyrisht. Por shumë e justifikuar. Ne e dimë historinë e një pushtimi pesë shekullor otoman dhe të prapambetjes së jashtëzakonshme. Por mbase këtu qëndron edhe madhështia e Rilindjes shqiptare. Tek një fuqi titanike e brendshme që në të vërtetë ishte ndërgjegjja jonë e pa asimiluar dhe e pashkatërrueshme nga pushtimet dhe dyndjet e njëpasnjëshme në këto troje.

Këtu shkëlqyen Rilindësit tanë.

Ashtu sikurse Rilindja evropiane kishte personalitetet e mëdha të saj, Rilindja shqiptare ka një aradhë të tërë personalitetesh. Naum Veqilharxhi bënte abetaren e parë shqip, Samiu hartonte Enciklopedinë e parë turke duke shkruar paralelisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bënetë”. Naimi ndërsa përkthente Viktor Hygoin, i jepte dorën e fundit kryeveprës së tij “Bagëti e Bujqësia”. Pashko Vasa shkruante vargun lapidar: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Gjergj Fishta latonte “Lahuta e Malcis”...

***

Në veprën e Profesor Boriçit, me një vetëdije të spikatur jepet dhe një hartografi e Rilindjes sonë Kombëtare. Publicistët që përfshihen në këtë vepër kanë jetuar dhe kanë botuar në kryeqendrat e kohës evropiane dhe botërore dhe kanë botuar në gazetat më të mëdha në gjuhë të ndryshme: Në Stamboll, në Athinë, në Bukuresht, në Paris, në Vjenë, në Zvicër, në Romë e Kajro, në Sofje e ... gjithandej ku ata jetuan dhe mbanin të gjallë frymën kombëtare dhe dashurinë për atdheun. Ata flisnin jo vetëm shqip, por edhe frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht, rusisht, rumanisht, greqisht, arabisht...

Ata janë themeli i gazetarisë shqiptare. Ata janë modeli që na mahnit edhe sot e kësaj dite. Ata janë bazamenti mbi të cilin është lartësuar ngrehina e gazetarisë moderne dhe dinjitoze shqiptare. Kjo evidentohet qartazi në veprën e Profesor Boriçit.

Në kushtet e një obskurantizmi të thellë, publicistët tanë rilindas lëvruan gjithë larminë e zhanreve të gazetarisë. Për të mos qenë monotonë dhe të mërzitshëm. Ata botuan editoriale të fuqishme, pamflete, fejtone, analiza, filozofi... Dhe letërsi! Një letërsi madhështore dhe tepër mallëngjyese. Madje Kristo Dako shkonte edhe më tej. Sepse ai është Hartuesi i Kodit Etik Shqiptar të Gazetarisë më 1917. Në paragrafin e parë të këtij Kodi ai shkruante: 

“Qëllimi i shtypit nuk është të bëjë qeveritarë, as të luftonjë për të zgjedhur deputetë, as për të goditur kundërshtarët e një partie dhe të lëvdonjë të tjerët. Qëllimi i vërtetë i shtypit është shumë më i lartë: t’i sjellë dobi çështjes që i shërben, të përpiqet të ndritojë, të përfaqësojë e të udhëheqë opinionin publik në çështjet e ditës; të përkrahë gjithënjë drejtësinë edhe të luftonjë padrejtësinë”.

Pas më shumë se një shekulli, çfarë mund t’i shtosh apo heqësh këtij Kodi? Asnjë presje. Është pikërisht ky Kod që na mungon dhe që bëjmë sikur nuk e dimë që ka bjerrur më së shumti nivelin profesional dhe besueshmërinë e shtypit tonë aktualisht.   

Prandaj e nënvizoj faktin se Rilindasit janë shkolla e parë e gazetarisë shqiptare. Utopikë doemos, idealistë pa dyshim dhe vetësakrifikues të mëdhenj pa asnjë mëdyshje. Lavdi Atyre! Ata meritojnë shumë e më shumë nga ne pasardhësit e tyre që, jo vetëm të përulemi para veprës së tyre, por edhe ta vazhdojmë atë vepër në emër të një ideali të madh. Nuk mjaftojnë emra shkollash dhe rrugësh për ata. Ata janë vetë historia që nuk i nxë një oborr shkolle apo hapësira e një rruge. Ata janë vetë shkolla dhe hapësira e domosdoshme që na mungon.

Vëreni moshën e tyre. Ditën e lindjes dhe të vdekjes. Janë në shumicën e tyre të rinj. Sa Dëshmorët e Atdheut. Martirët e fjalës së shkruar dhe të ideve madhështore. Sot ata ne na duken moshatarë me Skënderbeun, për të cilin nuk ka kohë të lindjes dhe vdekjes... Ka vetëm përjetësi.

***

Mirënjohje  e thellë për Profesor Hamit Boriçin për këtë kontribut tejet të vyer që jep jo vetëm për publicistikën dhe gazetarinë shqiptare, por mbi të gjitha për historinë tonë e cila do të ishte e gjymtë pa njohjen dhe kontributin e vyer të publicistëve të Rilindjes.

Si ish-student i Profesor Boriçit, unë kam një ndjeshmëri të veçantë për këtë vepër, pasi këto ndjesi i kam provuar qysh herët dhe me to jam edukuar dhe formuar si profesionist në këtë fushë. I uroj udhëtim të mbarë këtij libri me vlera të patjetërsueshme. Për libra të tillë kemi patur, kemi dhe do të kemi gjithnjë nevojë. Deri sa të bëhet e plotë Shqipëria e projektuar nga Rilindasit tanë mendjendritur!  

 

Video