Ju lutemi, shpëtojeni SPAK-un!

24 Nëntor 2022, 16:17Pikëpamje SHKRUAR NGA MENTOR KIKIA
Yuri Kim me prokurorët e SPAK

SPAK mbylli një “mandat” të kryetarit të parë pa ndonjë gjë(më) të madhe për tu shënuar. Ose, duhet ta paranojmë, se ne të gjithë kishim patur pritshmëri të tjera, të cilat nuk u realizuan. Megjithatë duhet të jemi të prirur të besojmë se SAPK është ende shpresa e vetme për të vënë rregull në xhunglën tonë të qeverisjes dhe politikës së korruptuar dhe lidhur me metestazat e krimit të organizuar.

Në kushtet kur ne dukemi të pamundur të bëjmë me votë një seleksion dhe rinovim të klasës politike dhe, kur kemi mbetur peng i një kaste zyrtarisht të korruptuar dhe inkriminuar, sytë ishin drejtuar nga SPAK-u magjibërës, për të shpëtuar nga kjo kastë.

Kur shpreson shumë edhe zhgënjehesh shpejt dhe shumë. Por tashmë zhgënjimi duket se do të jetë edhe më i madh. Ambasadorja amerikane shkaktoi shumë habi kur dy ditë më parë lëshoi një paralajmërim të fortë: “Procesi i përzgjedhjes së kryetarit të SPAK, duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë ose ndikojnë në drejtësi, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë njerëz. SPAK - si reforma në drejtësi - duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë”- tha ajo.

Pyetja është: Kush po e manipulon, apo mund ta manipulojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të SPAK?

Kandidatët janë 3. Kryetarin e zgjedhin 11 anëtrët e KLP. Kush merr së paku 6 vota bëhet kryetar. Të tre ata janë prokurorë të SPAK-it, kanë kaluar filtrat e nevojshëm, janë të kualifikuar dhe të aftë. Por, si do të vendosin anëtarët e KLP se kush është më i zoti? SPAK nuk ka nevojë të ketë në krye atë që ka patur mesataren e shkollës më të lartë. Por atë që është më i guximshëm, më kurajoz, më idealist dhe jo pjesë apo produkt i klaneve të korruptuara politike. Vlerësimi gjithësesi do të jetë subjektiv dhe do të vendosi pikërisht Lobimi. Kush mund të lobojë? Qeveria; Opozita; Biznesi; Krimi

Dy të fundit përjashtohen, pasi në deklaratën e ambasadores Kim nuk ka “presion, shantazh, blerje etj etj”. Pra është politika. Opozita duket të jetë jashtë këtij lobimi, pasi KLP është një produkt tërësisht i mazhornacës, pasi opozita e kishte braktisur procesin atëkohë.

A mund të themi se amerikanët janë të alarmuar se SPAK-un do ta kontrollojë qeveria, apo sepse KLP nuk do të votojë njeriun që preferojnë ata? Amerikanët duket se kanë preference për Altin Dumanin. KLP ia rrëzoi këtë kandidaturë në zgjedhjet e para, kur fitoi Arben Kraja. Por çfarë po ndodh tani?

Mesaduket ambasada e SHBA ka informacion se po lobohet për të ulur në atë karrige një tjetër person, të preferuar nga mazhoranca, ndaj dhe u lëshua alarmi për “manipulime të procesit nga ata që duan të ndikojnë në drejtësi”.

Këtu nuk ka emra por duket se përplasja është e dukshme. Nëse kreu i SPAK do të zgjidhet i preferuari i mazhorancës, atëherë nuk kemi të bëjmë me një lajm të keq se humbi i preferuari i amerikanëve, si mbështetës të fortë të reformës në drejtësi. Por sepse drejtësia e re rezulton se është e kapshme, ose e kapur, dhe shpresa jonë e madhe për të pastruar politikën e korruptuar përmes drejtësisë bie.

SPAK nuk është thjeshtë një organ drejtësie. Ai është instituconi që ka në dorë të mbjellë shpresën tek shqiptarët, pasi mungesa e drejtësisë për ata që e kanë shpërdoruar dhe e shpërdorojnë pushtetin për tri dekada me radhë, është një nga arsyet kryersore e demoralizimit të madh popullor dhe largimit masiv të njerëzve.

Ndaj SPAK nuk duhet të bjerë në dorë të atyre për të cilët ai u krijua. Ndaj nëse ka një detyrë që duhet të bëjnë me forcë sot amerikanët dhe aleatet e tyre, është ta ruajnë SPAK-un me çdo mjet dhe formë.

Video