(Pjesë nga punimi monografik «Nyjat në gjuhën shqipe - Diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: prokliza binare dhe enkliza shquese», Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2021)
E. Çabej shënon një fazë të re të studimeve për nyjat e shqipes. Duke e rimarrë problemin e përparësisë kohore që përuroi H. Pederseni, ai bëri një përshkrim të përdorimit diakronik e diasistemor të nyjave (1963: 78) dhe arriti në përfundimin se «postpozicioni i artikullit në shqipen është më i vjetër se pozicioni proklitik dhe se ky i fundit ka rrjedhur prej atij në ngërthim të fjalisë, me anë të një përsëritjeje». Arsyen e enklizës shquese dhe lindjes së nyjave të përparme ai gjen jo vetëm tek rënia e shumicës së mbaresave zanafillëse të fleksionit, si një zëvendësim i fundorëve të zhdukur të rasave, por sidomos tek prirja për një «hiperkarakterizim gjuhësor» (1963: 75). Ai propozoi metodikisht edhe pikënisjen e studimit të çështjes, e cila duhej të ishte rasa kallëzore, meqenëse te kjo rasë rrethanat zanafillëse janë ruajtur më mirë e prandaj shihen më qartë (1963: 78-9). Megjithëse burimin e dy llojeve të nyjave e sheh, sikundër mjaft studiues të tjerë, në një pikënisje të përbashkët (1963: 75), në fund ai arrin në përfundimin se prokliza është shfaqur relativisht më vonë dhe ka lindur sintaksorisht nga pozicioni enklitik (1963: 89).
Teza e Çabejt (1963: 56), nuk mund të pranohet, për arsye se shkëputja e një elementi të përngjitur dhe dalja prej tij e një elementi klitik është diçka që nuk ndodh në asnjë gjuhë. Rrjedhimisht, nuk ka ndodhur as në gjuhën shqipe. Një mënyrë formimi e tillë e nyjave të përparme do të binte ndesh edhe me proceset e gramatikalizimit, të cilat ndjekin zakonisht një vijë njëdrejtimëshe (Hopper & Traugott 1993: 94). Nyja shquese është kaq e gramatikalizuar në intuitën e folësit të natyrshëm të shqipes, saqë mundësia e një degramatikalizimi nëpërmjet rikthimit në një sintaksë paragramatikalizuese është e pamundur.
Duke krahasuar sjelljen gramatikore të nyjave të prapme e të përparme të shqipes, E. Çabej bën këtë vërejtje: «Artikulli postpozitiv ka diçka të ngulët e të qëndrueshme, si nga ana e formës, si nga e kuptimit. Ai mbetet i barabartë në vetvete, gjatë funkcionit të tij, që konsiston në këtë, që të dallojë diçka që njihet nga ajo që s’njihet. Në kundërshtim me këtë, artikulli prepozitiv tregohet i shumëllojtë në funkcionet e tij, i lëvizshëm e elastik në paraqitje, herë-herë dhe i lëkundshëm e i paqëndruar; shpeshherë kalon nga njëra kategori te tjetra, dhe në disa kushte mungon fare» (Çabej 1963: 79).
Por ne vërejmë se nyjat e prapme nuk janë më pak të larmishme se nyjat e përparme. Si numerikisht ashtu edhe fonetikisht ato paraqesin një larmi më të madhe allomorfike se nyjat e përparme, e cila varet edhe nga pozicioni i theksit të emrit ku përdoren:
Shkurtimisht:
Nyja e prapme ka format: -i, -u, -a, -t, -ët, -it, -të, -it, -ut, -ës, -së, -in, -në, -un, -ën, -e(t)
Nyja të përparme ka format: i, e, të / t’, së / s’
Është e vërtetë se nyjat e prapme, si morfema të varura, kanë një pozicion më të ngulët se nyjat e përparme. Por edhe nyjat e përparme, megjithëse morfema të lira e me inventar më të ulët kanë një shfaqje fonetike pa ndonjë larmi allofonike ose allomorfike. E kjo ndodh pavarësisht ndryshimit të mjedisit të tyre sistemor e diasistemor (vendosje para kategorish të ndryshme leksikogramatikore). Përveç, kësaj përdorimi i tyre përshkohet nga një rregullsi, që formulohet si «rregulli i përdorimit emfatik».
Del, pra, që nyjat e prapme shfaqin përshtatshmëri më të madhe me emrin të cilit i janë prapangjitur duke shënuar, përveç shquarsisë, edhe gjininë, numrin e rasën, ndërsa nyjat e përparme, pavarësisht lirisë së tyre morfematike, e ruajnë në përgjithësi të pandryshuar përbërjen fonematike dhe integritetin shenjor, si dhe funksionalitetin e tyre gramatikor.
Rastet e pakta ku nyja e përparme shkrihet me fjalën vijuese, disa përemra pronorë (tyre, tjetër, tjerë, tjera) ose para disa emrave historikisht asnjanës (tamël etj.), të cilat nuk ndihen më si të tilla, dëshmon se intuita gjuhësore funksionon në mënyrë mbrojtëse: atje ku elementi proklitik shkrihet, përjashtohet menjëherë nga sistemi ekzistues i klitikëve.
E. Çabej shkruan: «Kjo gjë dëshmon në mënyrë të prerë për një vjetërsi të madhe të postpozicionit dhe për një vendosje relativisht të vonë të përdorimit në proklizë» (Çabej 1963: 79)»
Mirëpo, në bazë të sa më lart, jemi të detyruar që përfundimin e E. Çabejt në lidhje me vendosjen e një kronologjie relative të shfaqjes së secilës nyjë, ta konsiderojmë të kritikueshëm dhe të mos e marrim parasysh. Shfazimi kohor i gjenezës së dy radhëve të nyjave bie në kundërshtim edhe me parimin e birësuar fillimisht për burimin e përbashkët të tyre.
Mendimi se «pozicioni proklitik është në vartësi të plotë nga postpozicioni» (Çabej 1963: 80) është i pasaktë dhe nuk duhet marrë parasysh në mënyrë absolute.
Në kuadrin e argumentimit të vet, E. Çabej i quan ndërtime joshqipe ato në të cilat elementi i parë i sintagmës është emër i pashquar dhe elementi i dytë emër i shquar në gjinore. Ai shprehet konkretisht: «Po të kemi parasysh këtë, që artikulli prepozitiv ka një lidhje të ngushtë me fjalën që i prin, që ai çfaqet vetëm atëhere kur ajo ësht’ e pajisur me artikull postpozitiv, dhe që përkundrazi mungon rregullisht kur ajo është pa artikull (thëllëza e malit, po thëllëzë mali), do të pranojmë se pozicioni proklitik është në vartësi të plotë nga postpozicioni» (Çabej 1963: 80). Diku nga fillimi i artikullit të tij (f. 73) ai pranon megjithatë se në shqipe ekziston sintagma një kalë i mikut, e krahasueshme me rumanishten un cal al vecinului. Shprehja e E. Çabejt mund të ndreqej pak a shumë kështu: «Pozicioni proklitik është shpesh në vartësi të postpozicionit».
Gjithë argumentimin e vet E. Çabej e përdor për të treguar se nyja e përparme është më e re në moshë se nyja e prapme dhe se rregullsia e shfaqjes së njërës prej tyre varet nga gjymtyra tjetër.
Problemi sipas nesh duhet shtruar ndryshe: shfaqja e nyjës së përparme imponon përdorimin e nyjës së prapme, apo e kundërta, shfaqja e nyjës së prapme imponon përdorimin e nyjës së përparme? Le të marrim dy shembuj: tek sintagmat
djalë i fshatit, lule e fushës
nyja e përparme shfaqet pa qenë i domosdoshëm përdorimi i nyjës së prapme (shquese). Ndërsa tek sintagmat
*djemtë fshati(t), *lulet fushe / fushës
nyja e përparme është e domosdoshme dhe përdoret me t’u shfaqur pas emrit të përcaktuar treguesi i shquarsisë. Nga shembujt e mësipërm përfundojmë se tek sintagma emër + emër shfaqja e nyjës së përparme nuk kushtëzon përdorimin e nyjës së prapme, as kushtëzohet prej saj, por nëse nyja e prapme përdoret, atëherë shfaqja e nyjës së përparme është e detyrueshme.
Siç shihet, faktet gjuhësore flasin për të kundërtën e asaj që pohon E. Çabej. Shembujt e sintagmave emërore ku elementi i parë është në trajtë të pashquar dhe elementi i dytë një emër i shquar në gjinore gjenden me shumicë në ligjërimin popullor dhe nuk janë sajime savante apo gjysmësavante (Çabej 1963: 86). Por edhe sikur ato të ishin futur në përdorim nga folësit më të kulturuar të gjuhës, kurrsesi nuk mund të konsideroheshin si fakte të papërfillshme. Sikur gjuhën e njerëzve të mësuar ta konsideronim të padenjë për të qenë burim studimi gjuhësor nga frika e ndonjë «kontaminimi» të jashtëm, kjo do të përbënte një gabim metodik. Më poshtë po japim për ilustrim shembuj nga proza dhe poezia popullore shqiptare:
emër pashq. mashk. em. nj. + nyjë em. nj. + emër gjin. nj.
Ishte fill i mjesditës e shkuan atei tri zonja të jashtëme, kaluar mbi tri flutura (Tek arbëreshët e Italisë) (FSH PP IV 1966: 76). Ky dhespot i Manastirit/ ja fali djemtë vezirit (LP 3 1983: 123). Te gur’ i qytetit ma kishe meqanë, / …. / emër’ i zotris’ sate, zonja Katerinë (Mitko 1981: 139).
emër shq. fem. em. nj. (+ nyjë em. nj. ) + emër gjin. nj.
Moj lule e beharit (LP 3 1983: 120). Por edhe: Moj lule beharit (LP 3 1983: 121). Më humbi gush’ e pullumbit< gushë e pullumbit (Mitko 1981: 115). Më lanje ca rroba ne bisht i mburimit, / na prishe nga mëntë, kopil’ e Qamilit! (Mitko 1981: 115). Pashë të rat’ e Shaqesë, / m’ iku çehr’ e faqesë (Mitko 1981: 110). Kulshedrë Shkodrës i thanë, / Kulshedrë e Shqipërisë (Mitko 1981: 254); ata shtrënguan dorën e pinë, te kupëza e artë, ve e miqësisë ... (FSH PP IV 1966: 78).
emër pashq. mashk. kallëz. nj. + nyjë kallëz. nj. + emër gjin. nj.
n’ oborr të kullës të m’i lshoni (LP 3 1983: 193).
emër shq. fem. kallëz. nj. + nyjë kallëz. nj. + emër gjin. nj.
Tumanet e tua në degë t’ ullirit, / të ndrit faqeja jote si drit’ e kandilit (Mitko 1981: 115). Në fushë të Manastirit (LP 3 1983: 114); në majë të malit dolla (MHFSH 1961: 309).
emër shq. mashk. em. shum. + nyjë em. shum. + emër gjin. nj.
Tue thirrë si desmorë të besës qiellin e dheun... (FSH PP IV 1966: 78),
Teza e Çabejt do të konsiderohej shpesh si ajo më përfaqësuese dhe më e argumentuar e gjuhësisë shqiptare.
Dëshmi kuptimplote është mendimi i Shaban Demirajt, i cili, pasi merr në analizë gjithë qëndrimet dhe arritjet e studimeve albanistike për çështjen në fjalë gjer nga fundi i shekullit XX, miraton në parim propozimet shpjeguese të Eqrem Çabejt (Demiraj 1986: 316, 535).
Sh. Demiraj kritikon megjithatë disa interpretime të E. Çabejt, si fjala vjen atë për mungesën e nyjës së përparme tek sintagmat e tipit Pr emënit Atit, ndë muojt dytë, e gjenisë tyne, mjeshtrit pëllasit, valëvet detit etj., ku nyja e përparme është «zhdukur» si rrjedhim i një disimilimi në shkallën zero nën ndikimin e nyjës së prapme, që i printe, kur të dyja këto nyja kishin të njëjtën bashkëtingëllore në përbërjen e tyre fonetike (Demiraj 1986: 311), apo për lindjen e nyjës femërore e si një zhvillim i brendshëm i shqipes (Demiraj 1986: 345)
Si E. Çabej ashtu edhe Sh. Demiraj (1986: 315) paranyjëzimin e gjinores e shpjegojnë si një nevojë të folësve për ta dalluar përsëri gjinoren nga dhanorja (!). Megjithëse e njeh sjelljen sintaksore të nyjës, e cila përshtatet jo me emrin në gjinore, por atë paraprijës, Sh. Demiraj vazhdon ta konsiderojë nyjën si pjesë të strukturës së gjinores (1986: 305), sikundër edhe mjaft studiues të tjerë (khs., p.sh., Çeliku 19711/19972: 62). Sh. Demiraj e quan atë një mjet gramatikor sui generis (1986: 315), meqenëse i njeh edhe një aftësi fjalëformuese e trajtëformuese (1986: 306-7), veçori që për ne nuk ekzistojnë aspak tek nyja e përparme. Të konsideruarit e nyjës si pjesë e gjinores përfaqëson edhe qëndrimin «zyrtar» të gjuhësisë shqiptare (Akademia 1976: 79, Akademia 1995 I: 106). Në botimin e parë (1976) qëndrimi ndaj nyjës së përdorur para emrave të rasës gjinore është kontradiktor. Nëse fillimisht thuhet se nyja e përparme e dallon nga ana formale gjinoren nga dhanorja (79), pak më poshtë bëhet pohimi se «nyja në gjuhën e sotme shërben si mjet dallues i jashtëm, si të thuash, analitik i rasës gjinore, e cila dallohet formalisht nga dhanorja vetëm nga prania e nyjës» (124). Në botimin e dytë (1995) braktiset qëndrimi i dyzuar i botimit të parë dhe formulohet mendimi se nyja është «pjesë përbërëse e formës së rasës gjinore» (106). Si në botimin e parë, ashtu edhe në të dytin autor i kreut të emrit është Fatmir Agalliu.
Ndërsa E. Çabej (me të drejtë!) ngre pyetjen se pse mungon nyja tek mbiemrat e kompozitave të tipit Gurzi, Gurakuq, Ujëmirë etj., Sh. Demiraj e shpjegon me faktin që në kompozita fjalët përbërëse hyjnë pa elementët që shërbejnë si tregues gramatikorë të tyre (Demiraj 1986: 311), argument për ne jokoherent, përderisa më parë i ka njohur nyjës rol fjalëformues. Nëse vërtet nyja e përparme do të kishte ndonjë aftësi fjalëformuese (Demiraj 1986: 306), do të pritej që prania e saj të konfirmohej edhe në këto kompozita.
REFERENCAT BIBLIOGRAFIKE :
Akademia 1976 = Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe. II. 1976. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Akademia 1995 = Gramatika e gjuhës shqipe. I. 1995. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Çabej 1963 = Çabej, Eqrem. 1963. Rreth disa problemeve të historisë së gjuhës shqipe. Në: Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore. 3: 78-92.
Çeliku 19711/19972 = Çeliku, Mehmet. 19711/19972. Kontribut për dy probleme të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe. Në: Probleme të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe. Tiranë: Shtëpia Botuese «Libri Universitar». 40-72. (Botuar së pari në: Studime filologjike 1 (1971).
Demiraj 1986 = Demiraj, Shaban. 1986. Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Tiranë: Universiteti i Tiranës «Enver Hoxha», Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë.
Hopper & Traugott 19931/20032 = Hopper, Paul J. & Traugott, Elizabeth Closs. 19931/20032. Grammaticalization. Cambridge: Cambridge University Press
BIBLIOGRAFI E SHEMBUJVE TË VJELË
FSH PP IV 1966 = Folklor shqiptar, I, Proza popullore, Vëll. IV, Instituti i Folklorit, Tiranë 1966.
LP 3 = Lirika popullore. 3. Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë 1983.
Mitko 1981 = Mitko, Thimi. 1981. Vepra. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Instituti i Kulturës Popullore.
MHFSH 1961 = Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912). I. Tiranë: Instituti i Folklorit.