Basha e ngriti alibinë e humbjes pa u mbyllur qendrat e votimit

6 March 2022, 19:05Pikëpamje SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Basha e ngriti alibinë e humbjes pa u mbyllur qendrat e votimit

Orari zyrtar i votimit u mbyll dhe procesi i zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki u shoqërua, sipas KQZ-së, me incidente të vogla pa peshë për të vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e këtyre zgjedhjeve.

Rezultati i parë pritet nga Vora, aty ku u votua elektronikisht. Megjithatë, po nga Vora dhe nga Shkodra disa deklarata të bëra gjatë ditës nga ana e Partisë Demokratike dhe zyrtarëve të saj të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se PD mund të kundërshtojë rezultatin e mos njohë zgjedhjet, të paktën në këto dy bashki.

Në Vorë ishte Jorida Tabaku që akuzoi se po pengoheshin komisionerët e PD-së për të ushtruar detyrën. Më pas, përmes një deklarate zyrtare, PD tha se PS dhe LSI janë bërë bashkë kundër komisionerëve të saj.

Për këtë qëllim, PD tha se ka bërë gati kallëzimin penal për komisionerët e PS dhe të LSI-së, që në këto zgjedhje përfaqësojnë Shtëpinë e Lirisë dhe Foltoren e Berishës. PS e cilësoi absurd këtë vendim të PD, duke e akuzuar se nuk ka zbatuar Kodin Zgjedhor duke çuar për komisionerë emra që nuk janë banorë të Bashkisë së Vorës.

Nga Foltorja folën Arben Ristani dhe Ivi Kaso. Edhe ata ishin me të njëjtën linjë me PS, por duke e interpretuar vendimin e PD-së zyrtare për të katapultuar komisionerë jo banorë të Bashkisë së Vorës, thanë se ky rast tregonte se sa në vështirësi ishte Lulzim Basha për të gjetur njerëz që ta ndjekin nga pas.

Deklarata e dytë u bë nga Shkodra. Agron Gjekmarkaj akuzoi pas mesdite se PS po përpiqej që të hapte tre qendrat e votimit në zonat e thella të Shkodrës, përkundër vendimit zyrtar të KQZ-së për mos hapjen e tyre.

Të dyja qëndrimet dhe denoncimet që PD bënte nga Vora për votim familjar, më shumë se sa të tregojnë parregullsitë e procesit zgjedhor duket se janë ngritur për të krijuar alibinë e humbjes së mundshme, ose në rastin ekstrem të mosnjohjes së rezultatit.

Alibia mund t’i shërbejë Lulzim Bashës për t’iu shmangur edhe këtë herë përgjegjësisë së humbjes, ndërsa para këtyre zgjedhjeve vartësit e tij në PD kanë refuzuar që t’i cilësojnë këto zgjedhje si test i mbështetjes që gëzon Basha në bazën e partisë pas përplasjes me Berishën.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video