
Një ngjitje e dyfishtë e kryeministrit tonë mbi majën e Olympit:
Si Edi piktori dhe si Rama politikani.
Një ngjarje.
Një moment i papërsëritshëm që do ngelet përgjithmonë në kujtesën time.
Dhe, e thënë nga unë që kam përjetuar shumë ngarje, kam hapur ekspozita personale, kam hyrë e kam dalë kancelarive europiane, tregon se nuk është vetëm shprehja që Edi Rama shpesh thotë "...jam piktori më i mirë i të gjithë kryeministrave" por, për mua, është një ndër 3 artistët më pasionant që kam takuar nëpër botë.
Tek e shihja që plot ethe ndërtonte ekspozitën e tij në Zappio, godina më e rëndësishme në Athinë pas Akropolit, prisja të vija re nëse, nga temperatura e lartë që e shoqëronte nëpër thellësi, do i kishte dalë ndonjë flluckë tek buza.
Por, e hëna e 20 Marsit 2023, do kishte ngelur e mangët vetëm me pjesëmarrjen e Kyriakos Mitsotakis apo Nikos Dendias në hapjen e ekspos. Tek shihja që njerëz po dyndeshin të hynin brenda, vija re se, mes tyre, ishin dhe ata që kulturën greke, e përhapin nëpër botë.
Piktor, skulptor, shkrimtarë e poet, dramaturg e aktor zunë vendet e rezervuara për të përjetuar një event, që Athinës së "trazuar politikisht", i kishte munguar por që, Katerina Koskina , më e famshmja kuratore arti modern që ka Greqia, ja u solli si për t'ju thënë se "Arti, tejkalon kohën"
Por, nuk mund të le me kaq këtë impresion dhe pa dy përshtypje nga pjesa politike e kësaj vizite.
Tek e shihja dhe e dëgjoja nëpër takimet dhe bisedat me presidenten e greqisë, atë të parlamentit, të dhomës së tregtisë si dhe me shqiptarë që nuk patën mundësi të vinin në hapjen e ekspozitës por që e prisnin ta takonin Edi Ramën tek hoteli, vija re ndërthurjen e artit me politikën dhe vendosjen e tyre në sintoni me njëra-tjetrën dhe kjo, bëri që mediat greke, britanike si dhe ato franceze, të dërgonin gazetarë e kameramanë për ta dokumentuar këtë ngjitje të dyfishtë: të artistit Edi dhe politikant Rama, mbi majën e Olymit.