7 sfida si shanse diplomatike

15 February 2022, 19:22Pikëpamje SHKRUAR NGA JORGJI KOTE
7 sfida si shanse diplomatike
Dr. Jorgji Kote

Në fakt, të shtatë sfidat të cilat përmenden në këtë shkrim dhe që pritet të kthehen në shanse të vërteta diplomatike janë  vijim i  politikës sonë të jashtme në vitet e mëparshme bashkë me arritjet e njohura. Ato  përbëjnë një bazë të mirë vijueshmërie për vitin 2022 dhe më tej, natyrisht duke shmangur  vonesat, mungesat dhe pengesat e deritanishme. Pa tentuar një analizë shteruese, le të bëjmë një kalim të shpejtë në këto sfida jetike.

Sfida e parë pas suksesit të madh të zgjedhjes sonë është performanca  si Anëtar jo i Përhershëm i KS të OKB-së ( 2022 - 2023). Bëhet fjalë për një aktivitet dy vjeçar brenda “Pallatit të Qelqtë” në Nju Jork, jo dhe aq të dukshëm e të prekshëm për publikun e gjerë. As me ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës, negociatat me BE-në, etj. Por shumë i rëndësishëm për imazhin e vendit, të politikës dhe diplomacisë sonë, mbasi tashmë do të kemi rastin të themi fjalën në forumin më të lartë botëror të sigurisë,  për të shtuar dhe forcuar lidhjet diplomatike, për të treguar aftësitë dhe kapacitetet e diplomacisë sonë. Jo se do  bëjmë kush e di se çfarë, por mjafton të konvergojmë me aleatët tanë të mëdhenj, me modesti, pa bujë dhe zhurmë.

Mundësitë i kemi, duke filluar nga ekipi i përzgjedhur me kujdes, deri te Titullari i Përfaqësisë sonë në  Nju Jork Ferit Hoxha, ndër më elitarët, veç posteve të larta drejtuese në MEPJ me pesë mandate ambasadoriale në kryemetropolet ndërkombëtare. Gjithashtu, Qeveria dhe diplomacia jonë meritojnë përgëzime për menaxhimin efektiv të fazën përgatitore dhe fillimin e mbarë të kësaj sfide, njëherazi dhe shans i madh gjeopolitik.

Padyshim që bashkëautorësia jonë me SHBA-në lidhur me dokumentet zyrtarë në atë Këshill për krizën në Ukrainë është lajm i mirë; ai do të shtojë ndjeshëm peshën dhe vizibilitetin e hapave dhe veprimeve tona diplomatike ndërkombëtare.

Sfida e dytë e vështirë lidhet me çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, plot 8 vjet pas marrjes së statusit kandidat.  Siç dihet, mbi 2 vjet më parë, BE-ja vendosi të na “çiftëzojë” me Maqedoninë e Veriut, si për JO ashtu dhe PO-në që na dha në Mars 2020.  

Në Takimin e 14 Dhjetorit 2021,  ndonëse rikonfirmoi angazhimin ndaj zgjerimit, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së nuk  dha asnjë afat, qoftë dhe të përafërt për çeljen e negociatave.  Ndërkohë, Presidenti Macron  më 11 Dhjetor, kur shpalosi prioritetet e presidencës franceze të BE-së në gjysmën e  parë 2022 foli për “qartësim“ dhe jo “përshpejtim” të zgjerimit në  Konferencën kushtuar Ballkanit që Franca do të organizojë Qershorin e ardhshëm dhe për një “perspektivë të sinqertë”. Nëse Makron do të rizgjidhet në Maj, ka shumë të ngjarë që ky “qartësim” të përfshijë një vendim të mundshëm për çeljen e negociatave në atë Konferencë në Qershor, por në vartësi dhe të qëndrimeve të Sofjes dhe Shkupit zyrtar.

Më 25 Janar qeveritë e tyre miratuan ngritjen e pesë grupeve të punës, të cilat do të shqyrtojnë të gjithë problematikën e marrëdhënieve dypalëshe. Por, nëse siç u premtua, rezultatet e 4 grupeve të tjera do të jepen deri në Qershor, asnjë fjalë nuk u tha lidhur me zgjidhjen e “nyjes  gordiane” dmth gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas. Dhe këtu mund të ketë rezultat deri në Qershor, por vetëm nëse dhe Shkupi do të jetë i gatshëm për lëshimet dhe kompromiset e rastit; tejet e vështirë sepse temat e mësipërme janë vërtet përvëluese për të dyja vendet. Veç kësaj, të dyja vendet, e sidomos Bullgaria kanë oponencë të fortë për këtë pikë super të ndjeshme dhe brenda koalicioneve të tyre qeveritare, në Presidencë dhe sidomos në opozitën nacionaliste, të cilat mezi presin ta përdorin si “municion” këtë tematikë. Për këtë arsye, edhe ndërhyrja nga më të mëdhenjtë nuk ka dhënë dhe nuk mund të japë rezultatet e pritshme.

Në këto kushte, nëse  deri në pranverë nuk do të ketë shenja premtuese drejt zhbllokimit të gjendjes, atëhere duhet të fillojmë pa humbur më kohë nëpërmjet kanaleve diplomatike lobimin të vendet anëtare të BE-së për ndarjen e vendit tonë nga Maqedonia e Veriut ndoshta qysh në Samitin e Qershorit; që “bashkë më të thatin, të mos digjet dhe i njomi”. Kjo ndarje e justifikueshme do të gjejë mirëkuptim te Shkupi zyrtar dhe sidomos te BE-ja, mbasi  vazhdimi si çift, nuk do të kishte më sens dhe dobi për asnjë nga dy vendet tona. Pastaj, dhe vendimi i BE-së i dy viteve më parë nuk është “tabu”.

Sfida tjetër është dosja pezull e Detit Jon; megjithë premtimet e dhëna, ajo  është ende në Tiranë dhe Athinë. Edhe pse kanë kaluar 17 muaj nga njoftimi i dy kryeministrave në Tiranë, nuk ka ende asgjë se “kur,  si dhe me se”! Ndonëse kjo ka qenë çështja me më pak transparencë publike gjatë 13 viteve të fundit, për fat të keq kjo traditë vazhdon. Edhe pse Haga u konsiderua si zgjidhje model, madje  dhe për vende të tjera, nuk ka asnjë sqarim ose shpjegim se për cilat aspekte është rënë dakord dhe ku ka hasur “sharra në gozhdë”. Kjo i shton më shumë dozat e dyshimit dhe perceptimit për dështimin e deritanishëm të demarsheve për një Marrëveshje të re cilësore. Për pasojë, objektivi madhor për Detin Jon, ajo e heqjes së ligjit të luftës, se për çështjen Çame nuk bëhet fjalë janë  shumë larg realizimit; ndaj, kërkohet transparencë publike dhe veprim i shpejtë, që sidomos Deti të mos kthehet në  “bombë me sahat”. Ja pse ajo mbetet sfidë e vështirë, të paktën derisa “Deti Jon” të shkojë në Detin e Veriut dhe të regjistrohet në Hagën e drejtësisë. Sfida tjetër jo e vogël është e ardhmja e nismës “Ballkan i Hapur”. Në vijim të analizave të mëparshme,  nga pikëpamja diplomatike le ta themi qysh në fillim se ajo është një konstruksion i sajuar mbi themele shumë të dobëta, me plot  skepticizma dhe pikëpyetje. Filloi keq qysh në Tetor 2019 kur u lançua si Mini-Schengen, pa konsultime me  SHBA-të dhe BE-në,  madje si karshillëk ndaj kësaj të fundit pas “JO“-së për negociatat. Pa konsultime të mirëfillta diplomatike nga poshtë - lart me të gjashtë vendet e rajonit e në radhë të parë me Kosovën. Pa i kërkuar Serbisë, si nismëtare dhe siç ndodh në të tilla raste kushte dhe lëshime, mbi të gjitha të paktën për moderimin e qëndrimeve të saj lidhur me njohjen e Kosovës, kur në fakt dhe tani Beogradi vazhdon të jetë i mbyllur në këtë pikë. E ç’kuptim ka Ballkani i Hapur, pavarësisht nga  përfitimet ekonomike, ndonëse  dhe ato jo ta sigurta, kur Beogradi i skërmit dhëmbët Prishtinës?  Kur në fakt, nuk ka dhe as mund të ketë  grupim rajonal pa njohjen diplomatike paraprake. Për pasojë, Ballkani i Hapur vazhdon t’i shërbejë kryesisht Serbisë, për të kuruar imazhin e saj, për të devijuar vëmendjen nga dialogu me Prishtinën dhe për ta lenë atë në hije.

Ndonëse  nuk kemi lenë forume  dhe samite pa kërkuar mbështetjen e nevojshme europiane, BE-ja na e ka  dhënë vetëm në nivelin e kortezisë diplomatike, por dhe atë «  nga halli ». Sepse, në të tri dokumentet e saj zyrtare ( Sofje, 10 Nëntor 2020, Brdo 6 Tetor 2021 dhe Bruksel, 14 Dhjetor 2021) nuk gjen asnjë fjalë të vetme për Mini-Shengenin dhe Ballkanin e Hapur » Në këto dokumenta, BE-ja shprehet qartë, madje me pëlqimin dhe të 6 liderëve tanë për “Tregu i Përbashkët Rajonal”  nëpërmjet Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe nismave të tjera,  duke vënë në dispozicion miliarda Euro.

Ndërkohë, pohimi i gabuar që mundohet të justifikojë “Ballkanin e Hapur” me gjoja dështimin e CEFTA, madje dhe Procesit të Berlinit është gafë e madhe  diplomatike. Sepse me të drejtë lind pyetja që nëse ka dështuar BE-ja, Berlini dhe të “mëdhenj” të tjerë,  si mund të kenë shans për sukses vetëm tri vende të rajonit? 

Tani, kur kjo nismë nuk ka shans të “ngjisë” dhe sikur “nami të bëhet”  diplomacia jonë ballafaqohet me dilemën të vazhdojë në këtë kurs pa krye apo të “ndërrojë marsh”.

Nga përvoja të ngjashme, mendojmë se mënyra më e mirë është që me finesë dhe elegancë diplomatike të shprehemi në favor të Tregut të Përbashkët Rajonal, ku ku të shkrihet dhe Ballkani i Hapur dhe të marrë fund kjo histori e pakëndshme për politikën dhe diplomacinë tonë. Madje, pa   qenë fare  nevoja as për «  vijën e masave » sepse gjërat janë shumë të qarta.

Veç kësaj, ky rast mund të na shërbejë dhe për të shmangur asimetrinë e papranueshme në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë që vërehet hera herës. Duke mbështetur hapa dhe veprime të drejta dypalëshe ndaj Serbisë, problemi është që ato të mos shkojnë në dëm të Kosovës; përkundrazi, ato të jenë të destinuara kryesisht  në favor  të saj dhe kurrsesi për “sytë e bukur të Serbisë”. 

Këtu vijmë te sfida tjetër që politika dhe diplomacia jonë të mbështesin Kosovën në dy drejtime strategjike - zbatimin e marrëveshjeve tona të shumta bashkë  me mbështetjen për pranimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe shtimin e njohjeve. Veç demarsheve dhe tratativave të shumta kudo, kjo kërkon kujdes të madh nga liderë tanë kur prononcohen, sidomos për çështjen kombëtare të mos krijojnë insinuata dhe aludime për bashkim me Kosovën, etj. Vërtet që me të tilla pohime mund të fitohen vota dhe popullaritet, por ato u japin shkak kundërshtarëve dhe vendeve skeptike që janë në procesin e njohjes për të thënë «  dale,  njëherë, prit, pse të nxitohemi kur ato do të bashkohen? » Mesazhet dhe disa hapa të kohëve të fundit janë  premtuese dhe pozitive. 

Sfidë tjetër përcaktuese dhe për të tjerat është menaxhimi dhe forcimi i shërbimit tonë diplomatik, brenda dhe sidomos jashtë vendit.  Tashmë ne kemi një trupë cilësore me diplomatë të kualifikuar dhe me përvojë të gjatë  dhe shumë ambasadorë të sprovuar.  Megjithatë, ka disa probleme, kërkesa  dhe mangësi që duhen rregulluar e riparuar sa më shpejt.

E para është freskimi dhe forcimi i përfaqësive tona diplomatike me titullarë dhe diplomatë të tjerë; themi kështu, mbasi gati gjysma e ambasadorëve kanë mbaruar me kohë mandatin ose kanë mbushur  moshën e pensionit. Me përjashtim të  ndonjë përfaqësie si ajo në BE dhe OKB, praktika ndërkombëtare perëndimore nuk i le asnjë ditë më shumë dhe jo më me vite Ambasadorët/diplomatët tej mandatit 3 - 5 vjeçar dhe moshës së pensionit; gjithashtu ato kanë dhe një raport të caktuar midis qëndrimit brenda dhe jashtë vendit, që te  ne nuk merret parasysh. Në respekt të ambasadorëve/diplomatëve  në fjalë, fare mirë mund të bëhet lëvizja e tyre paralele në vende të tjera, ashtu si dhe kthimi me detyra drejtuese në MEPJ! Gjithashtu, është koha të minimizohet emërimi i ambasadorëve politikë e ca më keq akoma «  të jashtëm » që në ndonjë rast  nuk kanë meritë tjetër veç mbiemrit ! Nëse nuk mund të pakësohen, madje ndjeshëm, nuk ka më  arsye të rritet numri i tyre nga pothuajse 25 për qind të titullarëve që përfaqësojnë aktualisht. Përvoja e 30 viteve të fundit ka treguar qartë se diplomatët dhe ambasadorët e karrierës kanë patur performancë dhe besueshmëri shumë më të lartë se ata nga jashtë, qofshin këta dhe ekselencë por pa përvojë! Kujdes, në diplomaci vjen eksperienca, pastaj ekselenca !

Veç  sa sipër, kërkohet shtimi i burimeve njerëzore, sidomos në disa konsullata, e kapaciteteve dhe i fondeve buxhetore, për forcimin e dimensioneve  publike, kulturore, qytetare, dixhitale, etj të diplomacisë sonë, përmirësimin e kushteve të punës dhe shpërblimet, që vazhdojnë të jenë shumë më inferiore dhe se ato të rajonit, etj. Interneti vërtet i lehtëson punët, por prapë nuk i zgjidh problemet dhe hallet e shumta të bashkëatdhetarëvee tanë dhe të huajve. Nuk po vazhdoj më tej, sepse jam i sigurt që MEPJ-ja jonë e di «  se ku i pikon çatia »

Në këtë drejtim, nuk mund të lemë pa përmendur dhe një mundësi/ vlerë të madhe të shtuar për diplomacinë tonë, të pashfrytëzuar sa e si duhet - tërheqja dhe thithja e mendimit të personaliteteve dhe ekspertëve të njohur të politikës sonë të jashtme. Eshtë fjala për  një plejadë tëtërë diplomatësh të lartë që tani i përkasin botës akademike dhe publicistike, por dhe të tjerë që   punojnë në agjenci dhe institute të ndryshme. Mjafton të përmenden disa emra elitarë për t’u bindur për këtë domosdoshmëri - ambasadorë karriere ose me tituj shkencorë - Akademik Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof.Dr. Lisen Bashkurti, Prof.Dr. Fatos Tarifa dhe Prof. Dr. Tonin Gjuraj; «  Dekani »  i diplomacisë sonë, Dashnor Dervishi, një prej vetëm dy ambasadorëve që kemi me këtë gradë; ish ambasadorë, Mjeshtri i Madh i analizës diplomatike,  Shaban Murati, Leonidha Mërtiri, etj;

Po ashtu ka 4 vjet që funksionon Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ( KASH) me 50 antarë nga Tirana, Prishtina, Shkupi dhe gjetkë; ay janë dhe ish ministrat e jashtëm të mirënjohur, Arta Dade, Besnik Mustafaj e të tjerë. Pa hyrë në analiza dhe hapat që nuk është se kanë munguar, mbetet ende shumë vend për përmirësime në drejtim të - dëgjimit, konsultimit, pranisë së përfaqësuesve dhe drejtuesve të MPJ-së sonë në promovimet e  botimeve të tyre mbi aktualitetin diplomatik, ftesa për evente të ndryshme, etj. Ca më tepër kur ata ftohen të gjithë të  ligjërojnë në Shkup, Prishtinë dhe gjetkë në Europë nga  akademi prestigjioze  diplomatike, MPJ-të të disa vendeve dhe pothuajse të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë ! Le ta theksojmë me këtë rast se ky bashkëpunim i bën nder në radhë të parë MEPJ-së, sepse i rrit imazhin dhe perceptimin pozitiv në publik dhe beueshmërinë në hapat që ajo ndërmerr. Madje, do të shtoja se në rast projektesh/programesh të ndryshme dhe trajnimi, personalitetet tona duhet të kenë përparësi; jo vetëm se tashmë ata kanë shumë përvojë dhe nga bota, por janë më praktikë dhe më pranë realiteteve të politikës sonë të jashtme.

Në përfundim, përballimi me sukses i këtyre dhe të tjera sfidave madhore diplomatike do të jetë në vartësi të dinamikave sa më pozitive të gjendjes së brendshme. Siç thoshte ish Kryeministri emblematik britanik William E. Gladstone “parimi i parë i politikës së jashtme është mirëqeverisja e brendshme”.

Në fakt, dhe mosarritjet apo dështimet e  njohura në politikën tonë të jashtme e kanë shkakun kryesor te destabiliteti institucional, krizat dhe konfliktet e brendshme politike. Gjithashtu,  gjendja dhe politika e brendshme është para kusht për besueshmërinë me jashtë, si faktor përcaktues për një sukses të qëndrueshëm diplomatik.


Video