Pesë vjet më parë, teksa mbante hapur një Çadër gjigande në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Lulzim Basha u angazhua në një kompromis disaorësh me Edi Ramën, prej nga mori gjysmën e qeverisë socialiste, si parakushtin për të mbledhur karriget dhe foninë e protestës, por edhe si “pajën” që do e bindte atë për të hyrë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2017. Një akord unik, i habitshëm e misterioz edhe sot, pesë vjet më vonë, të cilin Edi Rama do ta përmblidhte më vonë në frazën “i thashë merr gjithçka përveç meje, se unë jam i martuar”.
Sot, pesë vjet dhe një mandat qeverisës më pas, Rama është ende në zyrën më të lartë të ekzekutivit, Lulzim Basha ka dhënë doreheqjen dhe të vetmit aktorë të jashtëm të atij kompromisi që në atë moment u shprehën me pozitivitet dhe madje entusiazëm, Sali Berisha e Ilir Meta, sot venë kujën për “tradhëtinë e 17 majit”.
Presidenti i Republikës i cili po bën provat gjenerale për jetën e re opozitare, e konsideroi kompromisin e majit 2017 mes Ramës e Bashës si “ditën më të erret të pluralizmit politik. Marrëveshjen e turpshme dhe tinëzare, në errësirë, tashmë të ekspozuar para dritës së diellit…”
Në terma të ngjashme ka folur këto vite për atë marrëveshje edhe Sali Berisha, personi i cili ka përdorur fraza të tipit “një marrëveshje nga e cila fiton vendi”, vetëm pak orë pas marrëveshjes në fjalë. Ja cili ka qenë statusi i plotë i Sali Berishës në rrjetet sociale në datën 18 maj 2017:
“Nje marreveshje nga e cila fiton vendi!