Elis Halili është caktuar me 29 vota pro si kryetari i komanduar i bashkisë së Vlorës.
Halili do të ushtrojë funksionet e kryebashkiakut deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Seanca e këshillit bashkiak u shoqërua me debate të ashpra, ndërsa përveç Halilit u përfolën edhe emrat e dy nënkretareve të tjera, Irena Toshkallari dhe Klea Lalo.
“Fati por edhe shkollimi që kam marrë janë inxhinier ndërtimi më ka sjellë prej 7 vitesh në Vlorë. Kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve kryesore të këtij qyteti. Për mua është kënaqësi, por më shumë një detyrim që të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak më kanë besuar për të qenë një nga tre nënkryetarët për të drejtuar bashkinë në këtë periudhë tranzitore deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Gjatë kësaj periudhe fokusi jonë kryesor, do të jetë vetëm në vazhdimësinë e të gjithë projekteve që do e bëjnë më të mirë jetesën e çdo qytetari”, tha Halili.
Halili më parë ishte përgjegjës për projektet dhe infrastrukturën e qytetit.
Ermal Dredha dha dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut të Vlorës më datë 10 shtator. Dredha, i cili drejtonte Vlorën prej muajit korrik 2023, në letrën e dorëheqjes e argumentoi dorëzimin e detyrës si një akt reflektimi dhe përgjegjësie, dhe se po largohet me dinjitet për “t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja”.