Vrau priftin nga Puka para 22 vitesh, ekstradohet i dënuari me 3 emra, gjeti strehim në Angli si refugjat nga Kosova

25 July 2022, 15:58Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
 
Vrau priftin nga Puka para 22 vitesh, ekstradohet i dënuari me 3 emra,
Lekë Prendi alias Aleks Kola alias Nikolin Pacani

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë të 42-vjeçarit Lekë Prendi alias Aleks Kola alias Nikolin Pacani.

Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar Lekë Prendin me 21 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Prendi ka vrarë në vitin 2000 priftin nga Puka, Gjovalin Prendit gjatë një grabitjeje autobusi me klerikë në Kukës.

Por si u gjend në Britani të Madhe Lekë Prendi?

Lekë Prendi shkoi në Angli duke pretenduar se ishte një refugjat lufte nga Kosova me emrin Aleks Kola, të cilin ai e përdor ende deri në momentin e arrestimit në korrik të vitit 2013.

Policia zbuloi se gjurmët e gishtërinjve të tij ishin të ngjashme me një njeri që kërkohej ndërkombëtarisht nga Interpoli për grabitjen e autobusit me 22 klerikë në Kukës që rezultoi në vrasjen e një personi.

Në vitin 2014, një gjyqtar në Gjykatën e Westminsterit dha “dritën jeshile” që ai mund të ekstradohej, por në qershor të 2015 fitoi të drejtën nga Gjykata e Lartë për të bllokuar ekstradimin e tij në Shqipëri.

Shqiptari përfitoi lirinë pasi paraqiti në Gjykatë provat se personi që kërkohej nga Interpoli ishte 167 cm i gjatë, ndërsa ai ishte plot 178 cm. Ndër të tjera ai shtoi dhe faktin se personi i kërkuar nga drejtësia shqiptare nuk ngjante fare me të.

Por liria e tij nuk zgjati shumë pasi autoritetet shqiptare kërkuan sërish ekstradimin e tij pasi dërguan në Britani më shumë prova, të cilat vërtetonin se Aleks Kola ishte shqiptari i shumëkërkuar.

Autoritetet shqiptare dërguan gjurmët e gishtërinjve që i siguruan edhe nga homologët italianë, dhe më në fund Prendi pranoi se ai ishte i shumëkërkuari dhe për shumë kohë kishte përdorur edhe pseudonimin Nikolin Pacini.

Pas një seance të dytë për ekstradimin e tij në Westminster, gjykatësi Tan Ikram vendosi që Aleks Kola dhe Lekë Prendi ishin i njëjti person dhe se ai duhej të ekstradohet në Shqipëri.


Video