Katër të arrestuarit për vrasjen e dyfishtë në Manzë të Durrësit janë liruar nga Gjykata e Durrësit.
Erald Cani, 25 vjeç, Ergi Kadiu, 21 vjeç, Taulant Beqja, 37 vjeç, Emirian Beqja, 34 vjeç, të gjithë banues në Manzë, u lanë në masën “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”.
Ndërkohë autori i dyshuar i njërës prej vrasjeve, Daniel Pepa 21 vjeç është ende në kërkim. Ai dyshohet si autor i vrasjes së Flori Paluçit dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale“Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Ndërkaq në kërkim është dhe Gëzim Allçi, 30 vjeç, i cili akuzohet se e ndihmoi të largohet nga vendi i ngjarjes
Ngjarja
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani).
Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti.
Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Florian Paluçi.).
Si pasojë u vranë shtetasit Florian Paluçi dhe Aranit Kurti.