Tjetër viktimë nga moti i keq, gjendet i mbytur peshkatari në Ksamil (EMRI)

22 July 2026, 14:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tjetër viktimë nga moti i keq, gjendet i mbytur peshkatari në

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Sarandë, ku një peshkatar është gjetur pa shenja jete nga ana e policisë. Bëhet me dije se 61-vjeçari Mihal Zoi u gjet i mbytur pranë "Tre Ishujve" në Ksamil.

Dyshohet se Zoi ka humbur jetën si pasojë e motit të keq që ka përfshirë jugun e vendit gjatë 24-orëve të fundit, ndërsa nuk përjashtohet as pista që 61-vjeçari t’i ketë dhënë fund jetës.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme gjatë stuhisë, ndërsa Policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të viktimës, i cili është fundosur. Po ashtu bëhet me dije se Zoi ishte i divorcuar dhe fëmijët i ka në Greqi, ndërsa ai nuk rezulton të ketë familjarë të tjerë në Shqipëri.

Pas humbjes së jetës së elektricistit Bashkim Boçi, duket se moti i keq që përfshiu për disa orë jugun e Shqipërisë, ka shkaktuar edhe një tjetër viktimë.

Njoftimi i Policisë:

Sot, rreth orës 11:00, përballë Ishujve të Ksamilit, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit M. Z., 61 vjeç, peshkatar.

Nga këqyrja paraprake e kryer në vendngjarje dyshohet se shtetasi ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, pasi dyshohet se kishte dalë për peshkim.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin lundrues me të cilin 61-vjeçari dyshohet se kishte dalë për peshkim.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Video