Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, ka reaguar për Vox News lidhur me një video të rikthyer në qarkullim në rrjetet sociale, ku ai shfaqet duke përshëndetur të fortin e Shkodrës, Safet Bajri, që tashmë ndodhet në burg.
Artisti mohon të ketë njohje apo lidhje me të dhe thotë se videoja është e vjetër, e regjistruar rreth tre vite më parë në Shkodër.
Sipas Stresit, situata ka ndodhur në një moment kur dikush i ka afruar telefonin gjatë një performance, duke i kërkuar të përshëndeste një person, pa qenë i informuar se për kë bëhej fjalë.
“Videoja është bërë para 3 vitesh. Nuk është vetëm Safeti. Na marrin sa herë që dalim në skenë, si mua, si Noizy-t apo Klevios e shumë të tjerëve. Na thonë: ‘Përshëndete pak filanin’ dhe ta sjellin telefonin te fytyra. Në moment nuk di si të reagosh, e përshëndet”, shprehet Stresi për Vox News.
Reperi thekson se nuk ka asnjë lidhje me persona të përfshirë në botën e krimit dhe se secili ka jetën e vet.
“As nuk kam të bëj lidhje me asnjërin nga këta, çfarë janë këta bandita. Ata kanë punët e veta, unë kam punën time. Kjo është e vërteta”, vë në dukje Stresi.
Më tej, Stresi e cilëson rikthimin e videos si një tentativë për t’i dëmtuar imazhin, sidomos në një moment kur ai sapo ka hyrë në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Kjo është një lojë që bëhet kundrejt meje apo personit në fjalë për të më bërë dëm, gjoja ‘ky sapo ka hyrë në këshillin kombëtar dhe merret me banda’. Unë jam kundër bandave”, thekson Stresi duke falënderuar Vox News për mundësinë për të dhënë versionin e tij të ngjarjes.
View this post on Instagram
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016