
Drejtoria e Kontrollit të Specializuar pranë Administratës Tatimore ka njoftuar nisjen e kontrollit për automjetet luksoze të blera nga individë të paregjistruar në organet tatimore.
Sipas njoftimit të autoriteteve financiare, referuar të dhënave të vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, rezulton se 400 automjete janë blerë gjatë vitit 2023-2024 nga persona të cilët nuk kanë të ardhura të deklaruara.
Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve në mënyrë që të shmangin penalitetet.
Të gjithë individët që zotërojnë automjete të kategorisë luksoze do të përfshihen në procesin e verifikimit të të ardhurave të deklaruara pranë administratës tatimore, përputhshmërisë me vlerën e pasurive të zotëruara dhe dokumentacionit justifikues të burimit financiar.
Nga ana tjetër, autoritetet financiare sqarojnë se tatimpaguesit që nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre, rrezikojnë bllokim të automjeteve personale apo të biznesit.
Administrata Tatimore ka nënshkruar një marrëveshje me DPSHTRR-në, në bazë të së cilës është mundësuar kërkimi i të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve në kohë reale në sistemin tatimor.
Të gjithë tatimpaguesit në zbatim të legjislacionit në fuqi duhet të përmbushin në afat shlyerjen e të gjitha detyrimet tatimore, pasi në të kundërt administrata tatimore do të vendosë masa të sigurimit mbi mjetet dhe do të zbatojë të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë.