
Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me një denoncim të një shoferi të mallrave, i cili ka pretenduar se gjatë ditës së djeshme është ndalur nga tre persona të armatosur të armatosur në dalje të tunelit të Qafës së Buallit.
Gjatë një denoncimi për JOQ Albania, ai pretendonte se tre personat që e ndalën dhe e pyetën nëse ishte “Beni”, ndërsa pasi ka mohuar që të jetë ai e kanë kërcënuar me jetë dhe e kanë goditur me grusht.
Më tej, ai tha se ka bërë disa telefonata në drejtimi të Komisariatit të Bulqizës, ku akuzon se nuk i është hapur telefoni.
Në lidhje me këto akuza policia bën me dije se nga verifikimet që kanë kryer, nuk është regjistruar asnjë telefonatë në lidhje me këtë rast. Po ashtu, në Komisariatin e Bulqizës, nuk ka asnjë denoncim.
Ndërsa më tej në njoftim theksohet se po punohet për të verifikuar dhe për të përcaktuar vërtetësinë ose jo të ngjarjes së publikuar.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një publikim të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohet se një drejtues automjeti është ndaluar nga persona të armatosur në afërsi të tunelit të Qafës së Buallit, si dhe se nuk ka marrë përgjigje pas telefonatave që pretendon se ka kryer në Komisariatin e Policisë Bulqizë, sqarojmë se:
Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë publikim, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka nisur verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të pretenduara.
Nga verifikimi i regjistrave të komunikimeve të Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë rezulton se nuk është regjistruar asnjë telefonatë në lidhje me këtë rast. Gjithashtu, deri në këto momente, asnjë shtetas nuk është paraqitur pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim lidhur me këtë pretendim.
Pavarësisht mungesës së një denoncimi, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Komisariati i Policisë Bulqizë po vijojnë verifikimet për të përcaktuar vërtetësinë ose jo të ngjarjes së publikuar në rrjetin social JOQ.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër mbetet e angazhuar për trajtimin me seriozitet të çdo denoncimi dhe fton qytetarin në fjalë të paraqitet pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim, si dhe për të dhënë çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.