Është shtyrë seanca e radhës në GJKKO e kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci dhe të pandehurve të tjerë.
Mësohet se shkak për këtë është bërë mungesa e prokurorëve të rastit, seanca e radhës pritet të mbahet më 9 qershor.
Kryetari i Bashkisë Shkodër,Benet Beci akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera".
Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe lidhet me kohën kur Benet Beci ka qenë në krye të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, hetime këto të nisura pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit.
Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë.