Sali Berisha rikthehet në Parlament, kërkon një minutë heshtje për Sami Repishtin

3 December 2024, 10:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha rikthehet në Parlament, kërkon një minutë
Berisha në Kuvend

Në seancën e sotme të Kuvendit rikthehet pas gati një viti mungese për shkak të arrestit shtëpiak Sali Berisha, i cili buxhetin prej 8,2 miliardë eurosh e ka konsideruar si draftin e vjedhjeve të mëdha.

Rikthimi i Sali Berishës përkon me depozitimin e 34 amendamenteve të PD-së për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij. Ndërkohë, 11 amendamente janë depozituar nga Partia e Lirisë, përmes së cilave kërkohet një shtesë në buxhet me rreth 45 miliardë lekë.

Sali Berisha ishte i shoqëruar nga Flamur Noka, Edi Paloka, Elda Hoti, Ina Zhupa dhe Isuf Çela.

"Sali Berisha futet dhe Metamorfoza del", tha Berisha për gazetarët para se të hynte në sallë.

Berisha u ul në Kuvend krah Flamur Nokës dhe dy vende larg Bardhit. 

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, pas rikthimit në Kuvend, kërkoi 1 minutë heshtje për aktivistin e shquar shqiptar, Sami Repishti.

Kjo kërkesë u plotësua nga drejtuesja e seancës.

“Këto ditë është ndarë nga jeta një kolos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti.

Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptarë në diasporën dhe emigracionin tonë.

Fjala dhe pena e tij nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar.

Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës.

Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë.

Për të gjitha këto, unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje,” tha Berisha.


Video