Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar zyrtarisht se po zhvillojnë operacione kërkim-shpëtimi për dy pilotë amerikanë të zhdukur në territorin e Iranit, pas rrëzimit të një avioni luftarak F-15.
Ky është reagimi i parë zyrtar nga SHBA, pas raportimeve të mëhershme nga mediat iraniane, të cilat pretendonin se një avion ushtarak amerikan ishte rrëzuar në perëndim të vendit dhe se pilotët rezultonin të zhdukur.
Sipas faqes izraelite të internetit Ynet news, një nga pilotët amerikanë u shpëtua nga forcat ushtarake amerikane dhe është në gjendje të mirë. Shpëtimi ndodhi disa orë më vonë, gjatë së cilës forcat amerikane kishin krijuar një perimetër të sigurt rreth tij. Fati i pilotit të dytë mbetet i panjohur në këtë kohë.
Një helikopter kërkimi amerikan u godit gjithashtu nga një raketë në Iran. Agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se një helikopter amerikan, i angazhuar në një mision kërkimi për aeroplanin që thuhet se u rrëzua në Iran, dhe dy pilotët në bord, u goditën gjithashtu nga një raketë.
Më herët, mediat iraniane raportuan për përplasje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, si dhe për përfshirjen e operacioneve ajrore në kërkim të pilotëve. Televizioni shtetëror iranian madje njoftoi edhe një shpërblim për këdo që ndihmon në gjetjen e tyre.