Reagimi i Sisal Albania: Nuk ushtrojmë aktivitet lojërash fati në Shqipëri

17 Gusht 2026, 12:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pas publikimit në Vox News të artikullit me titull “Sisal Albania e lojërave të fatit nën hetim: 13 denoncime për veprimtari të paligjshme, 7 raste ende të hapura te ILDKPKI”, më 13 gusht 2026, Sisal Albania Sh.p.k. ka përcjellë një kërkesë për sqarim dhe publikimin e korrigjimit lidhur me disa nga të dhënat dhe formulimet e përdorura në artikull.

Kompania sqaron se raportimet e referuara pranë ILDKPKI-së nuk duhet të interpretohen si dëshmi e veprimtarisë kriminale apo të paligjshme dhe thekson se Sisal Albania Sh.p.k. nuk ushtron aktivitet të lojërave të fatit apo basteve në Shqipëri.

Më poshtë publikohet kërkesa e plotë e Sisal Albania Sh.p.k.:

Kërkesë për sqarim dhe publikimin e korrigjimit – Sisal Albania Shpk

I nderuar Ekipi Editorial i Voxnews.al,

Po ju drejtohemi në lidhje me artikullin me titullin “Sisal Albania e lojërave të fatit nën hetim: 13 denoncime për veprimtari të paligjshme, 7 raste ende të hapura te ILDKPKI”, publikuar në platformën tuaj më 13 gusht 2026.

Dëshirojmë t’ju vëmë në vëmendje disa pasaktësi dhe çështje të cilat, sipas këndvështrimit tonë, mund t’u japin lexuesve një kuptim jo të plotë ose çorientues të fakteve që lidhen me Sisal Albania Shpk.

Në veçanti:

Sipas Ligjit nr. 96/2025, që rregullon raportimin e shqetësimeve dhe parregullsive të pretenduara, 13 rastet e referuara pranë ILDKPKI-së lidhen me raportime administrative të sinjalizimit, të paraqitura dhe të trajtuara brenda kuadrit ligjor në fuqi. Ekzistenca e tyre nuk duhet të interpretohet si dëshmi e veprimtarisë kriminale ose të paligjshme, dhe as si konstatim i ndonjë shkeljeje nga ana e Sisal Albania Shpk apo punonjësve të saj.
Referencat ndaj “veprimtarisë kriminale”, “aktiviteteve të paligjshme” apo karakterizimeve të ngjashme nuk pasqyrojnë në mënyrë të saktë natyrën ose statusin e këtyre raportimeve.
Artikulli përmban referenca ndaj datave që duken të papërputhshme me themelimin e Sisal Albania Shpk në Shqipëri në prill 2019 dhe do t’ju luteshim që këto të dhëna të rishikohen.
Sisal Albania Shpk nuk ushtron veprimtari të lojërave të fatit apo basteve në Shqipëri. Kompania ofron shërbime mbështetëse për kompani të tjera brenda Grupit, duke përfshirë zhvillimin teknologjik dhe shërbimet e kujdesit ndaj klientit.
Sisal Albania Shpk ushtron aktivitetin e saj në përputhje me ligjet dhe rregulloret shqiptare në fuqi dhe mbetet e angazhuar ndaj parimeve të integritetit, transparencës dhe ushtrimit të përgjegjshëm të aktivitetit.

Vlerësojmë se mënyra se si këto çështje janë paraqitur mund të ketë një ndikim të padrejtë dhe potencialisht dëmtues në reputacionin dhe imazhin e Sisal Albania Shpk. Besojmë se këto çështje mund të adresohen në mënyrën e duhur dhe, nëse është e nevojshme, rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë hapat e përshtatshëm për mbrojtjen e interesave legjitime dhe reputacionit të kompanisë.

Në interes të saktësisë, transparencës dhe raportimit të balancuar, ju kërkojmë me mirësjellje që kjo letër të publikohet e plotë, në mënyrë që lexuesit të kenë mundësinë të marrin në konsideratë faktet dhe kontekstin përkatës krahas informacionit të paraqitur në artikull. Gjithashtu, do ta vlerësonim rishikimin dhe korrigjimin e pasaktësive faktike të identifikuara më sipër.

Mbetemi plotësisht në dispozicionin tuaj për të ofruar çdo informacion ose sqarim shtesë që mund të jetë i nevojshëm.

Ju falënderojmë për vëmendjen dhe bashkëpunimin.

Me respekt,

Massimo Vittorio Cova

Menaxher i Përgjithshëm

Sisal Albania Sh.p.k

 


Video