Raporti i Inteligjencës amerikane: Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve kibernetike nga Irani

18 March 2026, 17:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Raporti i Inteligjencës amerikane: Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve

Raporti vjetor i Inteligjencës amerikane për vitin 2026 ngre sërish alarmin për kërcënimet në rritje në hapësirën kibernetike globale, duke theksuar se shtete si Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, si dhe grupet e ransomware, do të vijojnë të përbëjnë rrezik kritik për infrastrukturat dhe rrjetet digjitale.

Në këtë panoramë, Shqipëria përmendet drejtpërdrejt si një nga vendet që ka qenë objektiv i sulmeve iraniane.

Sipas raportit, Irani mbetet një aktor aktiv në operacionet kibernetike, duke përdorur sulmet digjitale si mjet spiunazhi dhe presioni ndaj kundërshtarëve.

Dokumenti thekson se Teherani ka targetuar më parë vende me mbrojtje më të dobët kibernetike, duke përfshirë edhe Shqipërinë, çka e vendos Tiranën zyrtare në hartën e rreziqeve të vazhdueshme.

Raporti vlerëson se Irani ka treguar aftësi për të kryer sulme efektive ndaj objektivave të pambrojtur, ndërsa vazhdon të ruajë synimin për të goditur jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe aleatët e tyre.

Edhe pse gjatë konfliktit të fundit 12-ditor në vitin 2025 Irani hasi vështirësi përballë sulmeve kibernetike izraelite, ai mbetet i angazhuar në zhvillimin e kapaciteteve të tij digjitale.

Një element shqetësues i theksuar në raport është edhe roli i grupeve të lidhura me Iranin, përfshirë “hacktivistët”, të cilët mund të kryejnë sulme kibernetike në mënyrë më të decentralizuar. Edhe pse këto grupe janë zakonisht më pak të avancuara teknikisht, ato rrisin volumet e sulmeve dhe krijojnë pasiguri të vazhdueshme.

Në një rast konkret të përmendur në raport, një grup hakerësh i lidhur me Iranin mori përgjegjësinë për një sulm ndaj një kompanie amerikane të teknologjisë mjekësore, duke pretenduar se kishte fshirë 200 mijë sisteme dhe kishte marrë 50 terabyte të dhëna. Ky rast ilustron shkallën e dëmit që mund të shkaktojnë operacionet kibernetike moderne.

Në nivel global, raporti identifikon Kinën si kërcënimin më të madh dhe më të vazhdueshëm në fushën kibernetike, ndërsa Rusia mbetet një aktor i avancuar me kapacitete të sofistikuara sulmuese dhe inteligjence.

Megjithatë, për vende si Shqipëria, kërcënimi iranian mbetet më i prekshëm dhe më i drejtpërdrejtë.

Raporti thekson se aktorët kibernetikë shtetërorë investojnë vazhdimisht në kërkim dhe zhvillim për të avancuar aftësitë e tyre, duke përfshirë edhe vendosjen paraprake të mjeteve brenda sistemeve kritike, të cilat mund të aktivizohen në raste krizash për sulme shkatërruese.

Për Shqipërinë, kjo analizë përforcon nevojën për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Përmendja e saj në raportin e Inteligjencës amerikane është një tregues i qartë se kërcënimet nuk janë teorike, por konkrete dhe të vazhdueshme.

Në një kohë kur luftërat nuk zhvillohen vetëm në terren, por edhe në hapësirën digjitale, Shqipëria mbetet në vijën e parë të një fronti të padukshëm, ku siguria kombëtare lidhet gjithnjë e më shumë me mbrojtjen e rrjeteve dhe të dhënave.


Video