Policia kap në flagrancë 4 të rinj duke gërmuar në Varret Ilire të Selcës

13 December 2025, 15:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia kap në flagrancë 4 të rinj duke gërmuar në
Varret Monumentale Ilire të Selcës

Policia e Korçës ka kapur në flagrancë 4 të rinj duke hapur gropa në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme në Mokër.

Të rinjtë janë kapur nga inspektori i policisë së zonës, i cili ishte njoftuar në rrugë operative nga banorët e fshatit, që kishin parë të rinj me detonatorë metalesh duke gërmuar në pjesën anësore të territorit arkeologjik.

Burimet bëjnë me dije se të rinjtë janë nga zona e Korçës dhe me ta po kryhen veprimet hetimore në terren, për t’u shoqëruar më pas në komisariat.

Kjo është hera e parë që policia kap në flagrancë persona që gërmojnë për të gjetur metale apo objekte arkeologjike me vlerë në varret Ilire.

Ndërkohë, tre gërmime të tjera të paligjshme janë konstatuar gjatë një harku kohor prej 2-3 muajsh, por autorët e tyre nuk janë identifikuar.

Varret Ilire të Selcës, që i përkasin fundit të shekullit IV para Krishtit, janë unike për nga lloji i tyre në të gjithë Evropën.

Ato janë shpallur zonë A arkeologjike, por hyrja e personave që kërkojnë objekte arkeologjike është tepër e lehtë, pasi zona nuk është e rrethuar nga ministria përkatëse.

Me ndërtimin e rrugës së re Qukës-Qafë Plloçë, që kalon shumë pranë tyre, personat që kërkojnë ar kanë edhe më shumë lehtësi për t’u futur në zonë duke bërë që Varrezat Ilire të Selcës të jenë pre e gjahtarëve të thesareve.


Video