Pesë fëmijë nga mosha 4 -10 vjeç ecin 1 orë në këmbë për në shkollë. Shoferi: Rruga e keqe, nuk e fus makinën

8 Nëntor 2024, 21:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pesë fëmijë banorë të fshatit Zall Kalis, në Sllovë, nga mosha 4 deri në 10 vjeç ecin një orë në këmbë për të shkuar në shkollë.

Kjo pasi shoferi i furgonit që është i punësuar nga shkolla nuk i çon në shtëpi me arsyetimin se rruga është e shkatërruar. Dy javët e para të vitit shkollor, fëmijët nuk bënin mësim, pasi shkolla është 6 kilometra larg. Ata duhet të ecnin një orë në këmbë.

Prindi që u ankua në Fiks Fare kërkon shtrimin e rrugës që është në kushte skandaloze, në mënyrë që fëmijët të mos vuajnë më. Fiks Fare shkoi në fshatin Kalis në Sllovë, që ndodhet në qarkun e Dibrës, rreth 3 orë e gjysmë larg Tiranës.

Banorët e zonës ngrenë shqetësimin se nxënësit duhet të ecin  me kilometra rrugë në këmbë për të bërë mësim. Ata tregojnë se fillimisht fëmijët ishin pa shkollë, dy javë, më pas shkolla vendosi në dispozicion transportin për të mbuluar disa fshatra.

Shoferi pas mësimit i lë fëmijët në rrugë dhe duhet të ecin në këmbë për të shkuar në shtëpi. Tashmë që po troket dhe dimiri, fëmijët mbeten pa shkollë për shkak të rrugës së keqe, që bëhet edhe më e vështirë nga kushtet atmosferike. Shkolla afër fshatrave të tyre është mbyllur dhe janë detyruar të shkojnë në një shkollë tjetër.

Fiks u interesua pranë shkollë që fëmijët aktualisht ndjekin , ku drejtoresha Lindita Ndreu ishte në dijeni të situatës. “Jam në dijeni të problemit, pasi disa nga fëmijët në fillim të vitit shkollor nuk kanë qenë në mësim. U mblodh bordi i prindërve dhe ramë dakord që fëmijët e 9-vjeçares të merren dhe të çohen në shtëpi”, tha drejtoresha. Por ajo nuk dinte faktin se fëmijët liheshin në rrugë nga shoferi i furgonit dhe duhet të ktheheshin në këmbë. Në këto kushte  Fiksi përball drejtoreshën me realitetin e fëmijëve që lihen në rrugë dhe nuk çohen në shtëpi. Edhe në këtë rast drejtoresha shfajëson shoferin, sepse sipas saj rruga është skandaloze dhe shumë e vështirë për t’u futur makina. “E kam referuar problemin e rrugës dhe te kryetari dhe më ka thënë se do të merren masa për ta rregulluar” shton ajo.

Fiksi iu drejtua edhe shoferit të furgonit për ta pyetur se pse fëmijë kaq të vegjël liheshin në këmbë, kur ai ka për detyrë t’i dorëzojë në afërsi të shëpive të tyre. Ky i fundit justifikohet me pagesën e ulët dhe rrugën e keqe. “Nuk është e vërtetë, i marr dhe i çoj fëmijët atje. Problemi është me rrugën, nuk e fus makinën atje dhe sikur të lë punën. I merrja për hatër të kryetarit, e kam bërë sepse më thirrën e do të më paguanin e do të më jepnin bonus. Nuk kam marrë asgjë. Nuk ia vlen për 3 fëmijë, të marr 6 mijë lekë në muaj me atë rrugë. Më mirë lë punën sesa fus makinën aty”, tha ai.

Më pas, Fiksi iu drejtuar administratorit të Njësisë Administrative Sllovë, Ardian Gjokës. “Jam në dijeni të problemit. Shoferët i ka zgjedhur bordi arsimor dhe këshilli i prindërve. Për rrugën kam takuar kryetarin e bashkisë para disa ditësh dhe e kam vënë në dijeni për rrugën në fshatra që ka mbetur pa u rregulluar. Do të sistemohet në javët e ardhshme me zhavorr”, tha ai.

Video