
Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit ka nisur gjyqi ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu i cili akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për masakrën e ndodhur në Gërdec në mars 2008. Mga shpërthimi në "fabrikën" e demontimit të armëve humbën jetën të paktën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Më 8 shtator GJKKO pranoi kërkesë e Fatmir Mediut për zhvillimin e një procesi gjyqësor të zakonshëm dhe jo të shkurtuar prandaj në seancën e sotme nis procesi i zakonshëm gjyqësor ku prokuroria lexoi kërkesën për gjykim dhe paraqiti listën me 71 dëshmitarë të cilët ajo kërkon të thërrasë në gjyq.
Për herë të parë SPAK ka kërkuar që të thërrasë si dëshmitar në gjyqin për Gërdecin, djalin e Sali Berishës, Shkëlzen Berishën.
Procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë nisur dhe nga numri i madh i dëshmitarëve të cilët pritet të dëgjohen në gjykatë.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar të pyeten 71 dëshimtarë nga të cilët 52 janë dëshmitarë ndërsa 19 prej tyre janë persona që kanë qenë të pandehur në gjyqin e parë.
Gjithashtu është thirrur të dëshmojë edhe ish ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi.
Ngjarja që lidh Aldo Bumçin me Shkëlzen Berishën, është një faks në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës nga zyra e Aldo Bumçit i është dërguar privatisht Shkëlzen Berishës. Kjo është dëshmia që tregon se kush interesohej për atë biznes.
Dëshmia mbështetet nga ish- sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë e më pas Aldo ka percjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ndërkohë vetë Fatmir Mediu kërkon që të pyeten 90 dëshmitarë.