Pastronin paratë e klanit “Çopja”, arrestohet në Romë një prej vëllezërve Merkaj

17 October 2024, 11:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pastronin paratë e klanit “Çopja”, arrestohet në
Foto: Vëllezërit Merkaj dhe në mes Franc Çopja (kreu i klanit Çopja)

Klajdi Merkaj, në kërkim ndërkombëtar për llogari të dosjes “Çopja” të SPAK, është arrestuar të mërkurën 16 tetorit në Romë nga policia italiane.

Ndaj tij kanë nisur edhe procedurat e ekstradimit, teksa është njoftuar Interpol Tirana.

Arrestimi i të riut që akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Fran e Hajdar Çopja, krerëve të grupit kriminal në Elbasan dhe në vendet evropiane, është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Paralelisht me masën e arrestit, më herët shkalla e parë dhe Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestros për pasuritë e Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme më 31 korrik, ku kërkoi arrestimin e 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11 prej tyre, ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.

Kujtojmë se për këtë operacion nga i cili shumica e masave të sigurisë nuk u ekzekutuan dot, SPAK ka nisur hetime për dekonspirim, duke sekuestruar telefona si dhe marrë dëshmi të një sërë zyrtarëve policor, përfshirë agjentë të BKH-së e punonjës policie që ishin angazhuar për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Grupi në fjalë, ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, akuzohen nga Prokuroria për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror.


Video