33-vjeçari Enrik Proda nga Saranda është vënë sërish në prangat e Policisë, për trafik të lëndëve narkotike.
Ai është kapur me 9 kilogramë lënde narkotike kanabisi në automjet, në fshatin Qeparo, ku dyshohet se droga do të shitej në Greqi.
Blutë e Vlorës njoftojnë se 33-vjeçari ka tentuar të largohet për të shmangur kontrollin e automjeti nga shërbimet e Policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme nga ana e tyre, ai është kapur dhe vënë në pranga.
Uniformat blu kanë sekuestruar 9 kg e lëndës narkotike bashkë me 2 aparate celulare. Gjithashtu, Enrik Proda kishte thyer dhe masën e sigurisë "arrest shtëpie" në lidhje me ngjarjen e 12 shtatorit të kaluar ku akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Çfarë ndodhi më 12 shtator 2022?
Enrik Proda bashkë me babain e tij Sinan Proda (i dënuar më parë për vrasje) dhe Armando Hako (i dënuar më parë për vjedhje me armë), më 12 shtator kanë shkuar rreth orës 22:30 të maskuar dhe me armë te bar restorant “Sunset” në lagjen nr.4 dhe kanë qëlluar me sende të forta 42-vjeçarin E.Kushova, teksa në lokal ka pasur dhe klientë të tjerë. Kushova ka qenë duke darkuar me familjen kur e qëlluan.
Pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi me një mjet tip “Ford” me targa italiane, por u arrestuan pak ditë më vonë nga Policia.
Në dhunimin e 42-vjeçarit ka marrë pjesë Enrik Proda dhe Armando Hako. Ndërsa Sinan Proda, babai i Enrikut akuzohet se ka ndërruar targën e mjetit dhe e ka fshehur. Ngjarja dyshohet për prishje pazaresh mes Prodës, Hakos dhe Kushovës. Sinan Proda në vitin 2010 në Tiranë ka vrarë me thikë fqinjin e tij te “Komuna e Parisit” të quajtur Dritan Selimi.