Komandanti i Forcave Ajrore të Shqipërisë, Gjeneral Brigade, Ylli Pulaj është shkarkuar nga detyra nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.
Begaj ka emëruar në këtë post Gjeneralin e Brigadës, Ferdinant Vasil Dimo.
Ndonëse nuk dihen motivet që kanë çuar në shkarkimin e Pulajt, dekreti i Begajt vjen vetëm një muaj pasi në media u raportua se agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kishin zbarkuar në zyrën e tij duke i sekuestruar edhe telefonin personal.
Aludimet janë se SPAK po kryen hetime lidhur me tjetërsimin e pronave të Ushtrisë Shqiptare, që në disa raste i janë dhënë biznesmenëve të fuqishëm në vend për t’i kthyer në resorte dhe fshatra turistikë.
Një akuzë politike e tillë ka rënduar edhe mbi ish-ministren e Jashtme Olta Xhaçka, e cila më herët kishte mbajtur edhe postin e Ministres së Mbrojtjes, e shkarkuar tashmë nga kryeministri Edi Rama.
Një zë i fortë për këto denoncime ka qenë edhe ish-Zv.Komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari.