Kreu i Avokatëve Penalist, Saimir Vishaj mbajti një prononcim për mediat pranë ambienteve të SPAK, lidhur me dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj avokat Sokol Mëngjesit në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.
Vishaj u shpreh se është goditur shteti, ndërsa vlerësoi Mëngjesin si një prej avokatëve më të mirë që ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri.
“Kur preket një avokat preket shteti. Ashtu sikurse kur preket një punonjës policie të gjithë duhet të ngrihen në këmbë. Pa avokati nuk ka drejtësi. Është një mision aq i bukur dhe i vështirë. Kemi një heshtje të organeve mbase mbajnë sytë tek qielli. U them pjesëtarëve të institucioneve shtetërore të luten bashkë me ne që shoku jonë të dalë nga koma. Kanë dashur të vrasin një nga avokatët më të mirë që ka pasur sistemi i drejtësisë', tha Vishaj ndër të tjera.
Ai foli edhe për gjendjen e tij shëndetësore: “Kolegu ynë Sokol Mëngjesi, aktualisht, me lot në sy e them, që është në gjendje të rëndë intubimi, edhe pse mjekët e kanë futur në gjendje kome për shkak të plagëve të rënda që ai ka në konfuzionin e trurit, shpresojmë që të dalë nga gjendja e komës”.
Vishaj tha se “çdo javë kemi një avokat të dhunuar, kemi gjyqtarë të dhunuar, kemi prokurorë të dhunuar. Njerëzit duhet të kuptojnë që ata ofrojnë shërbimin dhe shërbimi ndaj njërës palë nuk do të thotë që dëmton interesat e palës tjetër”.
Kreu i Avokatëve Penalist tha se kjo është një tentativë vrasje dhe se nuk ka nuanca politike. Ai është dhunuar për shkak të detyrës së tij.
"Kjo është një tentativë vrasje në krye të detyrës, ndaj Sokoli Mëngjesit dhe dua tu them të gjithë atyre skeptikëve, të cilët i japin nuanca politike: Ngjarja nuk ka asnjë lidhje as majtas apo djathtas, por ngjarja është për shkak të detyrës së tij funksionale për shkak të procesit civile që ai ndjek".