Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha nuk e kanë dorëzuar ende kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, mesa duket në një tentativë për të shfrytëzuar çdo limit kohor që parashikon rregullorja.
Më herët, prej tyre u konfirmua se kërkesa do të dorëzohej ditën e sotme, por deri në orën 16:00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, siç edhe konfirmon GJKKO.
"Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka", thuhet në njoftimin e gjykatës.
Seanca e radhës për ashpërsimin e masës ndaj Berishës është vendosur të mbahet ditën e nesërme në orën 12:00. SPAK ka kërkuar ndryshimin e masës nga "detyrim parqitje" në "arrest në shtëpi" për ish-kryeministrin.
Por avokatët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ka konflikt pasi është shkarkuar nga Berisha në vitin 1996.
Sipas dokumenteve të bëra publike, rezultoi se Berisha e kishte emëruar sërish Gjokën pas 6 muajsh.