Mediat iraniane: Hormuzi plotësisht i mbyllur, Vance: Armëpushimi nuk do të zgjasë nëse Irani nuk rihap Ngushticën

9 Prill 2026, 08:01Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
JD Vance

Ngushtica e Hormuzit është mbyllur plotësisht, duke i detyruar anijet cisternë të kthehen. Transmetuesi iranian Press TV raportoi se të dhënat e gjurmimit detar treguan se anija cisternë Auroura, gjatë rrugës për në dalje të Ngushticës, ndryshoi papritur kurs pranë bregdetit të Musandamit në Oman dhe kreu një kthesë 180 gradë, duke u kthyer në Gjirin Persik. 

Sipas disa burimeve të transportit detar, marina iraniane kërcënoi anijet që përpiqeshin të kalonin nëpër ngushticën e Hormuzit pa lejen e Teheranit me shkatërrim, duke shtuar se tranziti përmes rrugës ujore mbetet i mbyllur.

“Çdo anije që përpiqet të udhëtojë në det... do të shënjestrohet dhe do të shkatërrohet...” thuhej në mesazh.

Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të mërkurën se Irani duhet të hapë Ngushticën e Hormuzit "menjëherë, shpejt dhe në mënyrë të sigurt" pas raportimeve se rruga strategjike ujore ishte mbyllur pavarësisht një armëpushimi SHBA-Iran.

Çdo mbyllje "është plotësisht e papranueshme", u tha gazetarëve Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

"Do të përsëris pritjen dhe kërkesën e presidentit që Ngushtica e Hormuzit të rihapet menjëherë, shpejt dhe në mënyrë të sigurt."

Leavitt tha gjithashtu se Presidenti Donald Trump dëshiron ta shohë rrugën ujore të aksesueshme për anijet cisternë pa asnjë kufizim, përfshirë tarifat.

"Prioriteti i menjëhershëm i presidentit është rihapja e ngushticës pa asnjë kufizim, qoftë në formën e taksave apo ndryshe", tha Leavitt.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikane, JD Vance ritheksoi para gazetarëve se nëse Irani nuk i përmbush premtimet për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, armëpushimi do të marrë fund.

“Presidenti është shumë, shumë i qartë se marrëveshja është një armëpushim, një negociatë. Kjo është ajo që ne japim, dhe ajo që ata japin është se ngushticat do të rihapen. Nëse nuk e shohim këtë të ndodhë, presidenti nuk do t’u përmbahet kushteve tona, nëse iranianët nuk po i përmbahen kushteve të tyre”, u tha Vance gazetarëve jashtë Air Force Two ndërsa po largohej nga Hungaria.

Komentet janë të njëjta me deklaratat e sekretaras së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Vance shtoi se marrëveshja është në një “pozitë të mirë”, por u zotua se regjimi iranian do të përballet me pasoja serioze nëse shkel kushtet e marrëveshjes.

“Në thelb, jemi në një pozicion të mirë. Ata po i rihapin ngushticat. Kemi një armëpushim. Dhe sinqerisht, nëse ata e shkelin pjesën e tyre të marrëveshjes, atëherë do të shohin disa pasoja serioze”, tha Vance


Video