
Policia Kufitare e Durrësit ka gjobitur një 25-vjeçar dhe i ka bllokuar mjetin e tij lundrues “Jet ski”, pasi kryente manovra të rrezikshme në det duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale E. T., banues në Durrës. Pas shoqërimit në port, është konstatuar dhe se ky drejtues nuk kishte dokumente për mjetin lundrues.
Policia Kufitare i ka bllokuar mjetin lundrues dhe e ka ndëshkuar me masë administrative në vlerën 10.000 lekë të rinj, shtetasin E. T.
Uniformat blu bëjnë me dije gjithashtu se gjatë kësaj jave, në të gjithë zonën bregdetare, janë zhvilluar kontrolle të hërëpashershme për mjetet lundruese dhe për zbatimin e detyrimeve për të mos lundruar në zonat e mbrojtura me bova.
Si rezultat i kontrolleve, nga Ksamili në Velipojë, janë verifikuar 31 mjete lundruese, kryesisht “Jet ski” dhe skafe, për dokumentacionin që duhet të kenë, si dhe për t’u bërë me dije sanksionet, drejtuesve të tyre, në rast shkeljeje të perimetrit të sigurisë së pushuesve.