Një deklaratë e fortë ka ardhur mbrëmjen e djeshme nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili foli me tone të ashpra për rrjedhjen e informacioneve nga institucionet e drejtësisë.
Manjani tha se kushdo që nxjerr dosjen hetimore të një personi, SPAK duhet “t’i presë kokën” në kuptimin ligjor.
Ai deklaroi në një emision se, personat që zbulojnë materiale nga dosjet nuk duhet të tolerohen.
“Është bërë një frymë e papranueshme dhe nuk është as në favor të drejtësisë, as në favor të hetimeve të paanshme dhe as në favor të informacionit për publikun.
Praktika është që materialet e dosjes hetimore gjenden në publik. Kjo është e papranueshme. Koka, në kuptimin ligjor të fjalës, e një prokurori që është pronari i asaj dosje, duhet të bjerë njëherë që të mësohet njëherë e mirë kjo histori.
Nëse ka një punë për të bërë SPAK-u sot është të ndalojë duke prerë kokën ligjërisht të prokurorit që është përgjegjës për një dosje hetimore”, theksoi ish-ministri.