Ky është Dorian Kasa, që i vendosi thikën në fyt policit në Tiranë

5 Qershor 2026, 18:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ky është Dorian Kasa i cili tentoi t’i merrte armën e shërbimit efektivit Loren Rama, e pastaj ta godiste me thikë. Por falë reagimit të shpejtë të efektivit, u shmang tragjedia.

Policia e Shtetit bën me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit, kur Dorian Kasa i është afruar efektivit Loren Rama i cili po menaxhonte trafikun, ka tentuar t'i marrë armën e shërbimit dhe i ka vendosur thikën në fyt.

“Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjëherë autori.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë). Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç” njoftoi sot Policia.

Sapo agresori i ka vendosur thikën në fyt efektivi Rama ka reaguar menjëherë dhe me lëvizje të shpejta ka arritur të shmangë goditjen fatale, duke e neutralizuar autorin në kohë.

"Për një moment nuk e kuptova se kush ishte ky person pasi nuk e njihja. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart", ka sqaruar efektivi , ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe pritet të japin më shumë detaje në vijim.


Video